Nafie Selmani ishte kandidatja e parë shqiptare për kryetare të qytetit të Shkupit dhe fitoi shumicën e votave shqiptare. para ca kohe edhe zyrtarisht ka vendosur të bëhet pjesë e politikës, duke u zgjedhur në kryesinë qendrore të Lëvizjes Besa që udhëhiqet nga Afrim Gashi. Në këtë intervistë ajo flet se çka e bindi që të kyçet në politikë, por edhe për qëndrimin dhe pozitën që duhet ta ketë femra shqiptare në Maqedoni ndaj zhvillimeve politike.
Zonja Nafie, pas Kongresit të Lëvizjes BESA të mbajtur me 18 shkurt ju jeni një nga prurjet e reja në këtë parti, cila ishte arsyeja që ju bëri të rreshtoheni me këtë subjekt politik?
Nafie Selmani: Për të marrë një vendim të madh në jetë zakonisht ka më shumë arsye që të shtyjnë drejt atij vendimi. Pra, janë disa. Po përpiqem këtu t’i them disa ndër arsyet kryesore. Lëvizja Besa është nga partitë e reja shqiptare në Maqedoni, të cilën e kam ndjekur që nga themelimi. Atë që kam parë nga jashtë dhe që ka ndikuar edhe të jem mbështetëse e saj, sigurisht janë njerëzit –që shumica nga ata profesionalisht të dëshmuar në sfera te ndryshme dhe të papërbaltur me njolla korrupsioni e vese të tjera. Kur kjo ishte kombinuar me shumë vajza dhe djem të rinj, që janë pjesë aktive e partisë, jepte sinjale të mira se në Maqedoni po hapet rruga për një ofertë të re politike dinjitoze për shqiptarët, në veçanti, dhe të gjithë qytetarët, në përgjithësi. Natyrisht se ndër arsyet më të rëndësishme është përfshirja e grave në proceset politike partiake në vendin tonë. Ne të gjithë e dimë se deri më tani gjendja e përfshirjes së grave në politikëbërjen shqiptare në Maqedoni është krejt sipërfaqësore, e papërfillshme dhe e paktë. Se pse është kështu kjo situatë, për fajin e burrave apo grave, nuk mund ta themi me saktësi, aq më shumë nëse vet ne gratë refuzojmë të bëhemi pjesë aktive e partive politike. Për më keq, ne nuk kemi të drejtë morale as të ankohemi për mungesën e grave aty, derisa ne vet nuk e marrim situatën në dorë dhe të angazhohemi me pjesëmarrje reale e formale. E bindur se gjërat në jetë nuk bëhen e as nuk ndryshojnë vetëm me ankesa, por me aktivitete konkrete, ofertën që e pata nga krerët e Besës nuk munda ta refuzoj. Megjithëse jam shumë pak kohë në këtë organizatë politike, përshtypjet e para janë të mira. Deri në këto momente kam bindjen se krerët e kësaj Lëvizje nuk do lejojnë zhvatjen e gruas në parti, siç – për fat të keq – e kemi parë në disa nga partitë tjera në disa raste. Jam e bindur se ata nuk do ta lejojnë dekurajimin e tyre, duke i parë gratë aty vetëm si numër kuote, por do të trajtohen ato në mënyrë të barabartë konform potencialit, aftësive dhe punës së kryer. Gjithsesi ka edhe arsye të tjera që i plotësojnë këto që i përmenda më lart e që të gjitha së bashku përbëjnë mozaikun e arsyes më të madhe se është koha kur secili nga ne duhet ta japë kontributin e vet dhe të angazhohet që të largojmë të keqen që po na shoqëron shumë vite me radhë.
Gjatë zgjedhjeve lokale Lëvizja BESA ua besoi kandidaturën për të parën e Qytetit të Shkupit, duke u bërë kështu kandidatja e parë shqiptare e cila ndonjëherë ka garuar për kreun e Shkupit. Si e vlerësoni pozicionin e gruas shqiptare në skenën politike?
Nafie Selmani: Vet kandidatura e një gruaje shqiptare për të parën e Qytetit të Shkupit ishte një hap i madh dhe i guximshëm i këtij subjekti politik, për çka lirisht mund të themi se pozicionimin e gruas shqiptare në skenën politike të pushtetit vendor e përforcoi dhe e lëvizi nga pika 0. Kjo kandidaturë, përveçse bëri një kthesë të madhe politike në skenën politike, dëshmoi se gruaja shqiptare në Maqedoni është e gatshme të përballet me sfida të reja dhe të mëdha. Kjo kandidaturë argumentoi se jo për fajin e grave partitë e tjera politike shqiptare në Maqedoni refuzojnë, pa ndonjë shkak të mirëfilltë, t’u japin grave mundësi të barabarta në procese garuese zgjedhore. Lëvizja Besa, me këtë kandidaturë, edhe pse e re në skenën politike, dëshmoi pjekuri të lartë politike dhe argumentoi se ajo e sheh gruan të barabartë me burrat dhe i beson kapacitetit të gruas njësoj si të gjinisë tjetër. Ndërkaq, kur flasim në përgjithësi për pozicionimin e gruas shqiptare në skenën politike, me shumë keqardhje më duhet të konstatoj se deri tani ai ka qenë i mjerë. Puna më e madhe që kanë bërë partitë shqiptare pararendëse ka qenë përfshirja e tyre në kuotat gjinore, por që kjo më ka qenë detyrim ligjor e jo vullnet i mirë për ta pozicionuar gruan drejt dhe në mënyrë meritore. E mos të flasim pastaj për raste individuale, kur gruaja në partitë politike, në vend se te avancohet, është zhvatur dhe keqpërdorur më çnjerëzisht nga disa burra “të fortë” partiakë, gjë që ka ndikuar që për gratë e tjera përfshirja në parti politike të bëhet ankth nate!
Si profesioniste në lëmin e marrëdhënieve me publikun, ku një periudhë keni punuar edhe si gazetare dhe hulumtuese, si e vlerësoni nivelin e përgjegjësisë së politikanëve, e në veçanti të qeveritarëve, ndaj mediave dhe opinionit publik?
Nafie Selmani: Një shumicë e konsiderueshme e politikanëve në Maqedoni, si duket, e kanë kuptuar politikëbërjen krejt shtrembër. Përgjegjësinë, që duhet bartur një politikan, e kanë përkthyer në kënaqësi dhe privilegj personal. Bile, shpeshherë bëhet trishtues fakti kur e kujton sa shumë kanë devijuar disa politikanë nga përgjegjësia, aq sa është krijuar një përshtypje e përgjithshme se vështirë mund të gjendet një politikan që mban përgjegjësi, si për punët e bëra, ashtu edhe për qëndrimet e paraqitura në publik. Ndërkaq, edhe më e rëndë dhe absurde është gjendja e politikanit qeveritar. Kemi plot raste kur disa qeveritare ose pushtetare kanë shkuar aq larg sa e kanë shndërruar veten në monark me të drejta të pakufizuara, që kurrë askujt s’kanë pse i japin llogari, madje as vet votuesit të tij që e ka pozicionuar aty. Në raport me mediat, përgjegjësia e tyre shkon vetëm deri aty, kur ata dështimet e tyre ose mungesën e punëve të premtuara e kamuflojnë me një paraqitje mediale, sa për të thënë se jemi të hapur me mediat. Por, me shumë keqardhje mund të them se këtë komoditet për t’u sjellë ata në këtë mënyrë, po ua mundësojnë edhe vet mediat. Disa nga mediat tona, në vend se të kryejnë detyrën e tyre të parë – informim të drejtë, cilësor dhe të paanshëm, ato merren me çështje krejt të parëndësishme për publikun e gjerë, dhe shumë nga ato me vetëdëshirë krijojnë, në vend të raporteve profesionale me politikanët e qeveritarët, raporte biznesi dhe vihen në shërbim të tyre për ndonjë kompensim tjetër. Kujtoj se është koha e fundit që mediat, në përgjithësi, t’ua kujtojnë politikanëve, por edhe më shumë pushtetarëve se ata janë aty ku janë për qytetarët dhe se përgjegjësisë publike nuk guxon t’i ikë askush, e aq më pak një pushtetar. Media duhet të vetëdijesohet për rolin dhe fuqinë e madhe që e kanë drejt përmirësimit të situatave, në përgjithësi, dhe këtë duhet bërë sa më parë.