Ish-kreu i sigurisë së ish-kryeministrit Gruevski, Dejan Mitrevski Urko, u dënua me dënim me kusht prej dy vjetësh për aksidentin që ndodhi verën e kaluar në të cilin vdiq 22-vjeçari, raporton “Fokus”.

Vendimi është miratuar më 20 qershor 2017.

“ Është miratuar vendim në bazë të pranimit të fajësisë së të akuzuarit, ku ekspertiza ka konstatuar se motori kishte udhëtuar me shpejtësi 94.6 km/h, dhe nuk kishte të vendosur dritë në pjesën e përparme të motorit. Të dëmtuarit para gjykatës kanë thënë se nuk kërkojnë kompensim dhe nuk do jenë pjesë e ndjekjes penale. Sipas kodit penal personi është fajtor dhe gjykatësi i ka shqiptuar dënimin, dy vite burg por me një kusht, burgu nuk do të realizohet nëse në 5 vitet e ardhshme i akuzuari nuk kryen krim tjetër”, sqarojnë nga Gjykata Themelore Shkup 1.

Aksidenti i trafikut ka ndodhur më 27 korrik të vitit të kaluar në bulevardin Boris Trajkovski në Kisella Vodë, kur Urko me makinën e markës “BMW” ka goditur motoçikletën dhe 22 vjeçari u plagos rëndë dhe vdiq pas pesë ditësh.