Deklarata e ish-kryetarit të Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi, te një pjesë e madhe e banorëve të fshatit Strimnicë, ka nxitur reagime dhe zhgënjim të madh, shkruan Fol.

Izairi, në ditën kur ia dorëzoi mandatin kryetarit të sapozgjedhur, Blerim Sejdiut, para medias tha se e ka njoftuar Sejdiun për disa projekte që duhet mbaruar.

Ai thotë se ia ka bërë me dije Sejdiut për mjetet nga kredia e Bankës Botërore që duhet të shfrytëzohen dhe realizohen projektet siç është shkolla e Grupçinit, Llërcës, Pollaticës, rruga e Grupçinit, Novosellës dhe një rrugë në Zhelinë.

Izairi, gjatë fushatës u premtoi banorëve të Strimnicës se do të realizohet projekti i rrugës, gjegjësisht të asfaltohet rruga e fshatit, gjë që u prish si shkak i instalimit të ujësjellësit dhe kanalizimit, edhe atë projekte të realizuara me bashkëfinancim të banorëve dhe jo tërësisht nga ana e komunës. Mirëpo, ai para medias nuk e përmend askund këtë premtim që u bëri banorëve të Strimnicës dhe kjo, sipas disa banorëve anonim të Strimnicës, ka shkaktuar zemërim edhe te një pjesë tjetër e banorëve.

Përndryshe, ish-kryetari Izairi, e braktisi komunën me shumë borxh, edhe atë rreth një milionë euro. /Fol/