Ish-ministrat, Mile Janakievski dhe Gordana Jankuloska, bashkë me edhe shtatë avokate, u përpoqën të bindin gjykatësit e apelit se bisedat e përgjuara për rastin “Titanik”, nuk duhet të jenë prova në sallën e gjykatës. Prokuroria Speciale ka në dispozicion 1 mijë e 063 regjistrime, si dhe një CD me SMS porosi të regjistruara mes të akuzuarve. Paraprakisht, Gjykata Penale i hodhi poshtë këto dëshmi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Alsat-M bën të ditur se PSP-ja kërkoi që Gjykata e Apelit të ndjekë praktikën tashmë të vendosur edhe në rregullimin juridik që t’i kthejë bisedat e përgjuara që tashmë janë hedhur poshtë. Mbrojtja dhe të akuzuarit kundërshtuan ashpër njëra-tjetrën. Akuzuan se nuk respektohet e drejta e privatësisë. PSP-ja në fjalën e saj bëri të ditur se ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili është i akuzuar, e ka ditur se përgjohet.

Prokuroria Speciale

„Nikolla Gruevski përdor shkurtesa gjatë bisedave, gjë që tregon qartazi se e ka ditur se është duke u përgjuar”.

Lënda “Titanik” ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore. Janë akuzuar gjithsej 21 persona, por vetëm 12 prej tyre përmes ankesave në Gjykatën e Apelit kërkuan që, bisedat e përgjuara që tashmë janë publikuar të mos jenë dëshmi. Në listën e të akuzuarve nga PSP-ja janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, por edhe bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm të afërt, Mile Janakievski, Kirill Bozhinovski, Martin Protugjer, si dhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankuloska. Kjo e fundit sot në sallën e gjykatës bëri të ditur se është viktimë e përgjimit dhe se numri i saj është përgjuar 730 ditë. Të drejtën e privatësisë e mbronte, përmes citateve nga aktgjykimet e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut.

“Unë e përmenda edhe aktgjykimin Nimic kundër Gjermanisë, ku veçanërisht për njerëzit që ushtrojnë profesione publike, gjykata konstatoi se është e pamundur të bëhet distinkcion mes bisedave publike dhe private meqë ky komunikim është i gërshetuar”deklaroi Gordana Jankuloska, ish-ministre e Brendshme.

Gjykata e Apelit tashmë vendosi se në sallën e gjykatës do të mund të dëgjohen bisedat e përgjuara për rastet “TNT”, “Toplik”, “Tortura” dhe “Tenderë”./Alsat-M/