Nëse unë do të jem pjesë e udhëheqësisë së re të VMRO-DPMNE-së, nuk do të hyj në pallatin e bardhë, tha kryetari i Kavadarit, Mitko Jançev në emisionin e djeshëm Click Plus në TV21. Ai zbuloi detaje se paraprakisht ka negociuar për shtije të godinës së selisë së VMRO-DPMNE-së me drejtorin e përgjithshëm të Bankës Komerciale, Hari Kostov. Duke aluduar në publikimet e Hristian Mickoskit ai tha se nuk mund që dikush të publikojë objekte të shkatërruara të institucioneve ndërsa nga ana tjetër çdo ditë të hyjë në një pallat të tillë.

“Nëse Mitko Jançev do të jetë pjesë e udhëheqësisë së re të VMRO-DPMNE-së dhe nëse ka udhëheqësi të re të VMRO-DPMNE-së, së bashku me udhëheqësinë e re, ai nuk do të hyjë në pallatin e bardhë. Para pallatit do të betohemi, do të marrim legjitimitet dhe do të kërkojmë hapësirë se ku do të funksionojmë. Në komitetin ekzekutiv kam marrë legjitimitet që të bisedoj për interesin dhe interesimin e biznes sektorit për ta blerë shtabin ose pallatin e bardhë, se si e quani ju”, tha Mitko Jançev – Kryetar i Kavadarit.

Nuk dua ta komentoj deklaratën e Jançevit, por atë që mund të them është se selia e VMRO-DPMNE-së dhe e gjithë prona tjetër janë ngrirë dhe nuk mund të shiten. Këtë e deklaroi kryetari i opozitares VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski i cili nuk e heq poshtë idenë për shitje të godinës së partisë, por siç tha, tani për tani kjo gjë nuk është e mundshme.

“VMRO-DPMNE-ja tashmë tre vjet ka pronë të ngrirë, kështu që edhe nëse duam ta shesim shtabin që e përmend z. Jançev, nuk mundemi për shkak se gjykata na e ka ngrirë atë pronë. Edhe nëse do z. Jançev, ja teorikisht të supozojmë se një ditë do të ketë mundësi që ta shesë atë që e kanë ndërtuar anëtarët dhe simpatizuesit e VMRO-DPMNE-së, së pari do të duhet të përfundojnë këto procese gjyqësore supozoj”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Prona e VMRO-DPMNE-së në të gjithë vendin është e ngrirë me rastin e PPS-së, Talir 1, ndërsa në mënyrë shtese me Talir 2 është ngrirë edhe shtabi qendror e partisë opozitare. Me këtë rast ishin të ngrirë edhe faturat e partisë.