Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta në Maqedoni kanë arritur që të mbledhin nënshkrimet e nevojshme (10 mijë), për të inicuar ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me fëmijët me nevoja të veçanta.

Ata para disa ditëve këtë peticion e filluan para Kuvendit të Maqedonisë duke kërkuar nga qytetarët t’u ndihmojnë me dhënien e nënshkrimeve. Nënshkrimet i kanë mbledhur në disa qytete të vendit.

Prindërit këto ndryshime do t’i dorëzojnë në Kuvend që të ndryshohen ligjet për fëmijët e tyre, që janë me nevoja të veçanta.

Sipas tyre, një nga problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen është se çfarë do të ndodhë me ta pasi t’u vdesin prindërit dhe thonë se kanë propozim se si mund të zgjidhet kjo çështje.