Dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, humbet të drejtën të njihet me informacionet më të vlefshme të agjencive të zbulimit, që i jepen përditë Presidentit, gjatë të ashtuquajturit ‘Informimi Ditor i Presidentit’, shkruajnë mediat amerikane, përcjell Telegrafi.

Ky ndryshim po pason me masat e reja që Shtëpia e Bardhë po merr për të vendosur disiplinë më të madhe mbi ata që kanë qasje ndaj këtij informacioni, sipas dy zyrtarëve amerikanë, që janë në dijeni të çështjes.

Kushner, i cili për më se një vit nuk ka arritur të pajiset me certifikatë të plotë sigurie, ka disa javë që e ka humbur të drejtën të jetë i pranishëm në seancat me informacione tepër sekret.

Po ashtu, nuk është ende e qartë nëse pjesëmarrja e Kushner në Informimin Ditor të Presidentit, e cila kërkon jo vetëm certifikatën më të lartë të sigurisë, por edhe të drejtën për të parë informacionet sekrete që ruhen edhe më fortë, mund të lejohet përsëri në të ardhmen.

Avokati i Kushner, Abbe Lowell, tha përmes një deklarate se “Kushner ka bërë gjithçka varet prej tij në këtë proces”.

“Sipas asaj që di unë, ka disa persona në nivelin e Kushner të cilëve u është vonuar certifikata e sigurisë. Nuk është e pazakontë për një administratë të re, që procesi të zgjasë kaq shumë, vonesat janë duke u shqyrtuar dhe nuk ka pasur ndonjë shqetësim për kërkesën e Kushner”, sipas avokatit Lowell.

Dosja që përmban Informimin Ditor të Presidentit, i shpërndahet vetëm një grupi të vogël zyrtarësh shumë të lartë dhe përmban analiza tepër sekret të informacioneve të zbulimit, informacione rreth operacioneve të fshehta të CIA-së dhe raportimet që bëjnë disa nga burimet më të fshehta të qeverisë amerikane, ose informacione që janë përcjellë nga shërbimet e zbulimit të vendeve aleate. /Telegrafi/