Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur një letër-propozimi zyrtare kompanisë koncesionare Albania Highway Concession që menaxhon mirëmbajtjen e rrugës Milot- morinë për amendimin e disa neneve, ku një nga çështjet kryesore është ajo e tarifës së rrugës që do të paguajnë banorët e zonës.

Pas bisedimeve me banorët në Kukës, Has dhe Tropojë është propozuar nga koncesionari që tarifa që do të paguajnë për një kalim, në sheshin e pagesës të jetë 200 lekë të reja apo 1.5 euro. Në total kalimi vajtje-ardhje për kategorinë e personave që banojnë përgjatë rrugës, pas amendamimit të kontratës dhe rivendosjes së traut të kalimit, pagesa do të jetë 3 euro nga 10 që ishte më parë.

Kostot që do të lindin nga ky lehtësim arrijnë në afro 900 mijë euro, mbulimi i kostove për kategorinë e transportit urban që do të përjashtohet do jepet në formë subvensioni në shumën 200 mijë euro.

Në total janë 8 mijë makina të regjistruara në këtë zonë, gjithashtu grupi i punës është duke hartuar pullat e përherëshme që do të ngjiten në makina, të cilat do të kenë edhe çmimin përkatës.