Shkruan Arbër Çeliku

1 E vërteta vonon, por nuk harron
Pas protestave studentore vitin e kaluar, isha nën shënjestër të vazhdueshme të UDBËS. Me gjasë, ua prisha planet makabre, për ta filluar betejën e tyre antishqiptare nga Universiteti i Tetovës, simboli emblemë i çështjes tonë kombëtare. Gjithë ato sharje, shpifje dhe fabrikime në adresën time, i durova me dinjitet dhe krenari, sepse nuk kisha bërë asgjë të keqe dhe i falënderohem Zotit, i cili më mbrojti nga e keqja.

Kur argatët e UDBËS e vërejtën se isha kockë e fortë, kaluan në planin B, atë të përvetësimit tim, duke u treguar të mirë me mua. M’i lëshuan adutët e tyre nga të gjjitha anët, por nuk e hëngra karremin, sepse, për fatin tim të mirë, inteligjenca e tyre ishte nën mesatare.

Panë ç’panë, ngaqë ua bëra me dije qëndrimin tim të pathyeshëm kombëtar, iu rrekën rishtas fabrikimit, përmes portaleve partiake (me BESË të sinkronizuara edhe me portalet e BDI-së) dhe megafonëve të tyre të shkollës së Kumrovcit, gjoja se paskam përfituar projekte kulturore nga shteti. Nga kureshtja e shfletova listën e projekteve nga kultura për vitin 2020, dhe ç’me pa: një anëtar i partisë argate të UDBËS, koleg i imi, kishte fituar po ashtu një projekt, njëjtë edhe megafonët dhe mercenarët e përjetshëm të vëllazërim-bashkimit kishin fituar projekte, nga 3-5 për individ me financime sa 3-fishi i projektit tim. U interesova pak kush ishin anëtarët e Komisionit për veprimtari botuese, gjysma nga anëtarët shqiptarë më dolën BDI, ndër ta shumica anonimusa në fushën e letërsisë, kulturës, artit dhe shkencës.
Megjithatë, kjo s’ka fare rëndësi me gjëmën që i kanoset popullit shqiptar në RMV.

2 Tentimi për të na kthyer rishtash në vitin 1943-45

Koaliconi i sotëm LSDM me BESË më kthen pas në vitin 1943, kur u themelua “7-ma Kosovska-Makedonska Udarna Brigada”. Njëjtë si sot, lansuan argatët me BESË, që t’i jepnin ‘udarin’ e fundit çështjes kombëtare në trojet etnike në emër të vëllazërim-bashkimit. Një pjesë të ushtarëve shqiptarë të kësaj brigade i dërguan, i tradhtuan dhe i vranë në Tivar, kurse pjesën tjetër e dërguan mish për top në Fushën e Sremit, gjoja të luftojnë kundër fashizmit, përderisa aradhat partizane bënin kërdi mbi popullatën e pambrojtur shqiptare në vatrat e tyre shekullore në Kosovë dhe Maqedonil (pleq, gra dhe fëmijë). Ky projekt për shuarjen e çështjes tonë kombëtare kulmin e arriti në vitin 1945 me fitoren e komunizmit, kurse deri në vitin 1947 u përmbyll me vrasjen e Mefail Zajazit, Xhemë Hasës, Sulë Hotlës dhe Shaban Polluzhës me shokë, si dhe gjithë patriotët e NDSH-së.

Pastaj u projektuan edhe plane të tjera ogurzeza si dëbimi masiv i shqiptarëve për në Turqi dhe më vonë edhe hapja e kufijve për largimin vullnetar të shqiptarëve në vendet perëndimore.
Me rënien e komunizmit, vazhdoi projekti antishqiptar, por nuk e kishte më atë potencial dhe fuqi. Argatët shqiptarë e vazhduan betejën edhe në Maqedoni, por nuk patën guximin si këta argatët e sotëm, të cilët mëtojnë paturpësisht t’i ringjallin sfingsat e komunizmit dhe për një torbë taxhi ta shesin çështjen kombëtare shqiptare.

Këta argatë me BESË shkelin pa fijen e turpit mbi gjakun e martirëve të Ladorishtit, Universitetit të Tetovës ngjarjet e Gostivarit të, 97-tës, 2001-shit dhe atyre, të cilët edhe sot vriten, burgosen dhe anatemohen për shkak të avancimit të çështjes kombëtare. 2-3 argatë sot ndër mesin e këtyre faqezinjve po i çojnë mish për top ata të rinj e të reja, njëjtë si gjatë periudhës 1943-45, përderisa nga ana tjetër po masakrohet rishtas çështja kombëtare shqiptare.

3 Mashtrimi i madh në emër të konceptit qytetar

Vëllazërim-bashkimit iu ndërrua vetëm ambalazhimi dhe iu vu përmbi etiketa ‘koncept qytetar’, madje duke e zbukurar me fjongo të tipit “një shoqëri për të gjithë”. Le ta ndryshojë LSDM-ja preambulën e Kushtetutës si sllogani i saj që promovon: “Maqedonia është shteti i popujve që jetojnë në të” dhe le t’i lirojë nga burgu shqiptarët e pafajshëm, unë, edhe përkundër vullnetit tim, e them publikisht se do t’ia jap votën kësaj partie dhe do të bëj thirrje që shqiptarët ta bëjnë të njëjtën gjë. Ajo kurrë këtë nuk e bën, por përmes argatëve të saj me rrënjë nga 45-ta, që në masë të madhe i gjen të përbashkuar te partneri i saj shqiptar i koalicionimit të sotëm, dëshiron edhe njëherë të na mashtrojë neve shqiptarëve, derisa një ditë të na e shuajë tërësisht ndjenjën kombëtare dhe të na fusë edhe njëherë përmes filtrave të asimilimit. Akti i sotëm, nuk është i rrezikshëm vetëm për këta argatët me BESË, por edhe për vetë LSDM-në. Kjo do t’i kthehet asaj si një bumerang me përmasa katastrofale. Shqiptarët janë djegur nëpër rrjedhat e historisë dhe i njohin mirë këto lojëra tinzare. Për më tepër, ne si asnjë popull tjetër e kemi të zhvilluar sensin e mbijetesës dhe tradicionalisht e kemi abortuar të keqen.

4 Për një plesht nuk digjet jorgani

Dita e sotme shënon nismën e pastrimit të bërllogut tonë politik, por procesi do të vazhdojë deri më 12 prill, pastaj situata do të jetë kristal e pastër. Personalisht më vjen keq, që për 2-3 argatë të mjerë po digjen shumë të rinj e të reja, të cilët nga ndjenja e tyre e pastër patriotike janë rreshtuar pas tyre. Ata nuk duhet të shërbejnë në asnjë mënyrë si mish për top për qëllimet makabre të këtyre kalorësve të arratisur.