Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka njoftuar për përfundimin e fazës së parë të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në këtë komunë – rekonstruimin e rrugës që lidh fshatrat Merovë dhe Sallarevë.
Sipas tij, promovimi i këtij projekti u bë së bashku me zëvendësministren e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, duke e cilësuar investimin si dëshmi konkrete të angazhimit institucional për zhvillim të barabartë.
Projekti, i financuar nga Ministria e Transportit me mbështetje të mjeteve nga Komuna e Zhelinës, përfshin një rrugë me gjatësi rreth 3 kilometra, me 5 metra gjerësi asfalt dhe deri në 6 metra së bashku me bankinat. Sipërfaqja totale e asfaltuar arrin në rreth 13 mijë metra katrorë.
Sejdiu theksoi se banorët e Merovës dhe Sallarevës kanë pritur për vite të tëra investime të tilla infrastrukturore, ndërsa realizimi i këtij projekti tregon se komuna tashmë ndodhet në një fazë konkrete zhvillimi.
Ai shtoi se vizioni i komunës është që zhvillimi të mos përqendrohet vetëm në qendër, por të shtrihet në çdo vendbanim, duke synuar rritjen e standardit të jetesës dhe krijimin e kushteve më të mira për gjeneratat e ardhshme.
Në fund, kryetari Sejdiu u zotua se investimet do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke theksuar se qytetarët meritojnë më shumë dhe institucionet janë të angazhuara për ta realizuar këtë synim.

