“Interesi ynë nuk është një sekretar shteti ose një ministër pa portfel, por institucione që veprojnë rajonalisht ose lokalisht, në komuna, që pjesëmarrja e shqiptarëve të rritet proporcionalisht, siç thonë Kushtetuta dhe ligjet“.

Kështu i ka deklaruar gazetës “Politika” kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi.

Ai ka thënë se pjesëmarrja në institucione është mënyra më e mirë e prezantimit të problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët.

I pyetur rreth deklaratës së tij se Presheva, Bujanoci e Medvegja duhet t’i bashkohen Kosovës, Kamberi ka thënë se ideja për shkëmbim territoresh nuk është ide e partisë së tij, por ajo është lansuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe shefi i diplomacies serbe, Ivica Daçiq.

“Presidenti Vuçiq dhe shefi I diplomacisë Daçiq, ka vite që flasin për këtë. Ne vetëm e kemi paraqitur një opsion të mundshëm për marrëveshjen ndërshtetërore që do të duhej të lidhej midis Beogradit e Prishtinës, nëse të dy palët do të pajtoheshin për ndryshimin e kufijve“, ka thënë Kamberi.

“Nëse ndodh kjo, kërkesa jonë është që Lugina e Preshevës të jetë e tëra dhe jo e ndarë nëpër disa fshatra. gjë që do të shkaktonte katastrofë humanitare“, është shprehur kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi.