Kanadaja do t’i dhurojë Maqedonisë së Veriut 250.000 dollarë kanadeze si ndihmë në luftimin kundër pandemisë të shkaktuar nga virusi Kovid-19, kumtoi Ambasada kanadeze me seli në Beograd.

“Kanadaja beson se përgjigja globale ndaj pandemisë është strategjia më e qëndrueshme afatgjate dhe në përputhje me këtë ka vendosur të ndajë fonde të konsiderueshme për të luftuar pandeminë përmes ndihmës humanitare në vendet më të rrezikuara, përmes financimit të organizatave ndërkombëtare që ndihmojnë në menaxhimin e krizës gjatë pandemisë, si dhe përmes akordimit të mjeteve financiare për kërkime dhe zhvillim në përpjekje për të gjetur një vaksinë efektive”, thuhet në komunikatë.

Këtu është edhe mbështetja në diagnostikimin e Kovid-19 për më shumë se 20 vende partnere, si dhe zhvillimi i strategjisë në luftën kundër lajmeve të rreme, keqinformimit, stigmatizimit dhe frikës.

“Bashkëpunimi i Kanadasë me vendet e rajonit është dëshmi e bashkëpunimit të fuqishëm global të cilën kriza e ka potencuar si të nevojshme, por edhe një strategji për të ardhmen. Kanadaja ka qenë dhe mbetet partner në zhvillimin e vendit, përmes një sërë projektesh me prioritet shoqëror, kësaj radhe të pasuruara me mbështetje për përballje me krizën e shkaktuar nga Kovid-19”, tha Aneta Pesheva, konsulli nderi i Kanadasë në Shkup.