Komisioni i Kuvendit të Maqedonisë për çështje ekonomike në seancën e sotme i shqyrtoi dhe në mënyrë unanime i miratoi Propozim-plain financiar të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRE) dhe përqindjen e përfshirjes nga të ardhurat e përgjithshme vjetore të licencave për kryerjen e veprimtarisë energjetike, për financimin e punës së KRE-së për vitin 2018.

“Plani financiar parasheh nivel të njejtë të harxhimeve sikur vitin e kaluar përveç pagave ku është paraparë rritje prej 19 për qind për shkak të 10 punësimeve të reja të planifikuara. Për shkak të miratimit të planit financiar për vitin 2017 në fund të nëntorit, në planin e këtij viti janë transferuar mjetet financiare për furnizim me mobilje dhe pajisje të teknologjisë informatike për hapësirat e reja të KRE”, tha kryetari i KRE-së, Dimitar Petrov.

Anëtarët e Komisionit vërejtjen më të madhe e kishin në lidhje me pagat e kryetarit dhe anëtarët e KRE-së dhe pagës mesatare të punonjësve të kësaj drejtoria.

Petrov theksoi se pagat janë të shfaqura në mënyrë transparente në web-faqen e KRE-së dhe nuk janë të ndryshuara nga themelimi i trupit rregullator dhe shtoi se paga mujore e kryetarit është 1.547 euro, paga e anëtarëve është 1.411 euro, ndërsa paga mesatare e punonjësve është 42.000 denarë.