Ajri i ndotur me grimcat pm10 rikthehet në Shkup. Për këtë komuna dhe qeveria sërish riktheu masat kundër ndotjes së ajrit. Kjo ka ardhur si pasojë e tejkalimit të kufirit të lejuar të grimcave PM10 për metër kub . Masat kundër ndotjes së ajrit janë transporti publik pa pagesë në të gjitha linjat e transportit shtetëror dhe privat, ndërsa gjithashtu njoftohet se do të shpeshtojë qarkullimin e autobusëve. Kjo gjë qytetit do t’i kushtojë rreth 7 milionë denarë në ditë.

Masat e tjera përfshijnë ndërprerjen e aktiviteteve ndërtimore, ndërsa kryetari i Shkupit kërkon që edhe kryetarët e komunave përreth ta bëjnë të njëjtën gjë.

“Apeloj tek qytetarët që të mos përdorin veturat pa nevojë, më shumë persona të voziten me një veturë, të përdoret transporti publik dhe kjo të kalojë në veti pa marrë parasysh ndotjen. Për nxehjen e shtëpive të tyre të mos përdorin mbeturina, vaj të djegur të makinave, dru apo mbetje të druve të ngjyrosura, stiropor, guma dhe materiale të tjera sintetike, të përdoret dru i pastër dhe i thatë”, u shpreh Petre Shilegov.

Ndër masat janë edhe pastrimi  dhe larja e rrugëve në mënyrë intensive.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, i liroi nga detyrimet e punës gratë shtatzëna, personat më të vjetër se 60 vjet, personat me astmë kronike, persona me rrezik nga infarkti, apo sulme në tru. Lirohen edhe personat që punojnë nga ora 11 deri në ora 17 në vende të hapura.

Ministria e Punëve të Brendshme do të zbatojë vendimin për regjim të komunikacionit për makinat e rënda, destinacioni i të cilave nuk është Shkupi, të mos lejohen të hyjnë në kryeqytet.

“Në pajtim me dekretin për vlera kufitare për nivelin e substancave ndotëse në ambient, ku është definuar pragu për alarmim të grimcave të suspenduara me madhësi deri 10 mikrometra, duke kaluar vlerën prej 200 gram në metër kub, gjatë dy ditëve të fundit dhe nga prognoza kohore e drejtorisë për punë hidrometeorologjike, ju informojmë se kufiri është tejkaluar në Shkup, në vendet matëse në Lisiçe dhe Rektorat”, u tha  nga qeveria e Maqedonisë. /tesheshi.com/