Gjysma e qytetarëve në Maqedoni ose më saktësisht 49% presin që vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në vitin 2025 ose më herët. Këtë e tregon barometri më i ri ballkanik, hulumtim statistikor për qëndrimet e popullatës në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Por, qytetarët në Maqedoni nuk janë optimistët më të mëdhenj lidhur me çështjen e eurointegrimit. Para nesh janë qytetarët e tri shteteve tjera nga rajoni. Në Shqipëri, anëtarësim deri në vitin 2025 ose më herët presin 72%, më pas vijon Kosova ku pritje të tillë kanë 62% dhe në Mal të Zi, ku 58% presin që vendi i tyre të bëhet anëtar i BE-së në 8 vitet e ardhshme. Në Bosnjë e Hercegovinë, 38% janë optimistë për aterim të shpejtë. Në Serbi në këtë besojnë vetëm 27%.

Sipas barometrit ballkanik këta, por edhe treguesit tjerë, janë sinjal se në rajon kthehet shpresa për perspektivën evropiane te qytetarët. Optimizmi është ende më i madh te ndërmarrjet.

Të pyetur, nëse anëtarësia në BE- do të ishte mirë për to, me “PO” më së shumti janë përgjigjur ata nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Më së paku optimizëm ka te ndërmarrjet në Serbi dhe Bosnjë.

Interesante në studimin është se derisa rritet optimizmi për anëtarësim në BE, ballkanasit në përgjithësi me pesimizëm shikojnë gjendjen e tyre të sotme. /Fol/