Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm sakrificash dhe derdhje lotësh e gjaku për të arritur idealin historik, pavarësinë e Kosovës, shkruan midis tjerash në urimin e tij me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

“Sot Kosova gëzon pavarësinë e saj, e cila është mbështetur dhe njohur nga shumë vende të botës. Mundi dhe sakrifica ka qenë shumë e madhe, madje dikush ka sakrifikuar edhe jetën që sot Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur. Në emrin tim personal dhe në emër të Lëvizjes BESA më lejoni të uroj 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, qoftë gjithmonë e fortë dhe stabile. Data të tilla janë të ngulitura në zemrat tona, duke i përkujtuar si data që ndërtuan historinë tonë të lavdishme kombëtare”, thuhet në urimin e Kasamit.