Pas një sërë veprimesh agresive nga ana e Koresë së Veriut, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në ujrat e gadishullit Korean një skuadër me luftanije, teksa në njoftimin zyrtar të Departamentit të Mbrojtjes theksohet se kjo masë është ndërmarrë për të qëndruar në gadishmëri ndaj çdo kërcënimi. Ky grup anijesh ushtarake është i aftë që të lançojë sulme ajrore, si dhe të neutalizojë raketat balistike të kundërshtarit. Më herët, Presidenti Trump ka deklaruar se ShBA është gati të veprojë e vetme, në rast kërcënimi bërthamore nga Koreja e Veriut.

Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar dërgimin e një skuadre luftanijesh amerikane në ujërat e gadishullit korean, një lëvizje që vjen pas testimeve të njëpasnjëshme të raketave balistike që ka kryer Koreja e Veriut në muajt e fundit.

Në njoftimin zyrtar, Komanda e Paqësorit, e përshkroi këtë veprim si një masë sigurie për të qëndruar në gadishmëri ndaj çdo veprimi agresiv, në kuadër të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin problematik.

Pas urdhërit, në afërsi të gadishullit u dërgua grupi Carl Vinson, i cili përbëhet nga një aeroplan mbajtëse, dhe disa luftëanije të tjera me kapacitete për lançimin e sulmeve ajrore.

Në reagimet e tij të mëhershme, Presidenti Donald Trump ka ashpërsuar tonet në raport me Korenë e Veriut.

Lideri i Uashingtonit i ka kërkuar Kinës që të ndihmojë në uljen e tensionit në gadishullin korean, por theksoi se Shtetet e Bashkuara tashmë janë përgatitur për të vepruar në mënyrë të njëanshme ndaj Koresë së Veriut, në rast se do të vërejë një kërcënim për sulm me bombë bërthamore.

Përveç aftësive goditëse, skuadra e dërguar në rajon ka gjithashtu aftësinë për të neutralizuar raketa balistike.

Vetëm në muajin e fundit, Koreja e Veriut ka testuar katër raketa të tilla, të cilat kanë goditur ujrat e Detit të Japonisë.

Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së, në sanskionet e vendosura ndaj qeverisë koreano-veriore, e ka ndaluar këtë të fundit të zhvillojë programe armësh, ndaj nuk dihet ende nëse ky organ do të vendosë ndërmarrjen e hapave të tjerë në këtë drejtim.