Për vetëm tre muaj që parlamenti nuk kishte punuar me kapacitet të plotë, 45 deputetët që nuk jetojnë në Shkup kanë harxhuar gjithësejt 74 mijë euro nga buxheti për shpenzime të rrugës.

Në emër të shpenzimeve rrugore më së shumti ka harxhuar deputeti i VMRO Kërsto Mukoski i cili njihet tashmë si një nga deputetët që ka hapur dyert e kuvendit më 27 prill kur ndodhi dhuna ndaj deputetëve në seancën konstituive.

Mukoski jeton në Vevcan dhe për ditët kur janë mbajtur seancat plenare për shkuarje dhe ardhje në punë ai ka paguar gjithësejt 3 mijë euro për vetëm tre muaj.

Bashkëpartiaku i tij Sasho Vasilevski i cili udhëton nga Ohri ka kërkuar kompenzim prej 2.644 eurp ndërkohë që kolegia e tyre nga Manastiri Liljana Zaturovska dhe Liljana Kuzmanovska për shpenzime rrugore janë paguar nga 2500 euro secila. Edhe Zoran Ilioski ka harxhuar 2.492 euro për shpenzime rrugore.

Nga LSDM më së shumti është paguar për shpenzime rrugore kordinatori Tomislav Tuntev i cili nga Ohri ka udhëtuar dhe ka harxhuar 2.588 euro, ndërsa Vasko Kovacevski nga Manastiri ka kërkuar 2.514 euro kompenzim derisa nën 2.500 euro kanë kërkuar Jovan Mitrevski dhe Sasho Pockov.