Një ditë pasi Kuvendi miratoi rezolutën për ngritjen e pagës minimale në 250 euro, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale është mbledhur Këshilli ekonomiko-social, raporton KTV.

Ministri Skënder Reçica, rezolutën e konsideron si një lehtësim që iu është bërë nga legjislativi, për arritjen e qëllimit të përbashkët: ngritjen e pagës minimale..

KTV-ja, javë më herët raportoi për ndikimin që rritja e pagës minimale mund të ketë në skemat pensionale për kategoritë e luftës, që përcaktojnë se pensioni nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale.

Opinioni i zyrave ligjore të ministrisë, kryeministrisë dhe asaj të financave, sipas Reçicës, thotë se nuk do të ketë ndikim në skemat pensionale, por kjo vetëm nëse fillon së zbatuari plotësim-ndryshimi i Ligjit për kategoritë e dala nga lufta.

Megjithatë, kjo çështje mund të mbetet në rend të dytë, pasi që, sipas dikujt, ky ka qenë propozim për vitin 2018.

Ymer Ymeri, që është pjesë e Këshillit ekonomiko-social, jep arsyet se pse shuma prej 250 eurosh tanimë nuk është e pranueshme për ta, e përveç kësaj, kanë edhe kërkesa të tjera.

Paga minimale në Kosovë, aktualisht është 130 euro për punëtorët deri në moshën 35 vjeçare, ndërsa mbi këtë moshë është 170 euro.