Publikimi i fundit i Draft-Opinionit të Komisionit të Venecias për Ligjin anti-shpifje, ka rritur shqetësimet brenda korridoreve të Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias.

Gazeta “Shekulli” pati një korrespondencë me Këshillin e Europës për Draft-Opinionin e fundit të Komisionit të Venecias për ligjin anti-shpifje. Këshilli i Europës i kujton mediave shqiptare që të mos publikojnë drafte, opinione, apo raporte nën titullin “e kufizuar”, pra asnjë dokument pa u bërë më parë publik në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias nuk mund të bëhet publik nga mediat në vend.

Ngutja e tepruar e disa mediave në vend për të publikuar sa më parë një informacion jo zyrtar, mund të jetë i dëmshëm për vetë identitetin e mediave shqiptare, në mënyrë që, ajo për çka po luftohet të mos shkelet nga vetë mediat.

Nëse mediat po kërkojnë një paketë më të mira anti-shpifje dhe po luftojnë me të drejtë për t’ia arritur këtij qëllimi, rrjedhja e informacionit dhe shkelja e ligjit të publikimeve, është e patolerueshme nga ana e Këshillit të Europës.

Reagimi zyrtar

“Unë veçanërisht do të tërheq vëmendjen tuaj në pjesën e mëposhtme: Rrjedhje të draft-opinioneve

Ndonjëherë informacioni u jepet mediave nga persona të paautorizuar në lidhje me një draft-opinion përpara miratimit, duke “rrjedhur” kështu informacionin. Media duhet të jetë e vetëdijshme se vetëm tekstet përfundimtare të miratuara të publikuara në faqen e internetit të Komisionit të Venecias mund të konsiderohen si zyrtare. Duke e pasur parasysh këtë, shpresoj të kuptoni që as unë dhe as kolegët e mi nga Komisioni i Venecias nuk do të ndajmë informacione jozyrtare”.