Në seancën e sotme të 39-të në Këshillin e komunës së Tetovës, ndërmarrja publike “Tetoto transport” mori miratim për caktim të çmimeve për transport të qytetit, procedurat teknike-administrative ende do të zgjasin që të fillojë me funksionim transporti i udhëtarëve. Në seancën e ardhshme duhet të miratohet plani për punë, punësime, buxhet dhe ngjashëm.

“Buxheti nuk mund të parashikohet nëse çmimorja nuk miratohet dhe nuk është zyrtare. Sot u miratua çmimorja dhe tani vazhdojnë procedurat teknike dhe administrative me afate ligjore të cilat duhet të respektohen dhe pastaj të realizohen. Gjithashtu deri në funksionim e NP me vendim të Këshillit, Komuna duhet të na i dorëzojë autobusët për shfrytëzim pastaj të marrin licencë dhe të arrijmë operativitetin”, deklaroi Fejsall Beadini, u.d. drejtor i ndërmarrjes.

Këshilltarët e opozitës kishin vërejtje rreth çmimeve dhe pse nuk ka bileta më të lira për rastet sociale.

“Reagimi ynë është se studentët duhet të jenë prioritet si dhe të ketë kategori për familjet të cilat kanë jo më shumë se 250/300 euro të ardhura mujore. Tani të punësuarit në komunën e Tetovës kanë 450 denarë biletë mujore, ndërsa studentët paguajnë nga 600 denarë. Dëshironim të gjejmë ndonjë gjuhë të përbashkët, të niset nga pika, por shumica nuk pranoi”, tha Besar Durmishi nga Besa.

“Kishte probleme me stacionet, nuk votuam atëherë, dhe tani i kemi me çmim të madh të pakuptueshëm. Mendoj se duhet të kemi kujdes me këtë, nuk punohet në mënyrë profesionale. Duhet të rishikohet rreth itinerarit sepse nuk ka infrastrukturë adekuate të komunikacionit dhe ngjashëm”, tha këshilltari Arif Selami.

U.d. drejtori theksoi se punët teknike ende formulohen me komunën e Tetovës.

“Do të ketë plan aksionar së bashku me SPB-në Tetovë, Sektorin për veprimtari komunale, NP Parkingjet e qytetit që para se të fillojë me funksionim të arrijmë me edukimin dhe kontrollin e terrenit që kur të fillojnë të funksionojnë të mos ketë probleme të tilla siç i ka qyteti”, theksoi Beadini.

Një biletë për një vozitje në transportin e qytetit do të kushtojë 20 denarë. Ka edhe bileta mujore sipas kategorive. Bileta bazë mujore është 900 denarë, ndërsa për studentët dhe nëpunësit publik është 600 denarë. Për pensionistët dhe personat me invaliditet më të vogël është 350 denarë, ndërsa 450 denarë për të punësuarit në Komunë. Falas do të jetë transporti për personat me mbi 80 për qind invaliditet. (Zhurnal.mk)