“Truri i Putinit” apo këshilltari nën hije i presidentit rus, siç e quajnë mediat evropiane, Alleksandar Dugin, në intervistë ekskluzive për TV21 foli për disa tema.

Siç duket autoritetet e Maqedonisë, nuk duhet të frikësohen nga Rusia, sepse Dugin, i cili konsiderohet si një njeri i afërt me Kremlinin, tha se vendi i tij nuk do ta pengojë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Ai u shpreh se kontesti për emrin është nënçmues, pasi askush nuk ka të drejtë të privojë një popull nga emri dhe identiteti i tij. Në intervistën, analisti dhe filozof, kategorikisht i hodhi poshtë akuzat për përfshirjen e Rusisë në zhvillimet në Mal të Zi, por edhe në hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill.

Rusia nuk do të qëndrojë në rrugën e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian. Analisti politik dhe njeriu për të cilin mediat evropiane shkruajnë se është këshilltari kryesor i Vladimir Putinit,i cili vepron nën hije, në një intervistë për TV21, tha se nëse populli i Maqedonisë vendos të ecë drejt NATO-s, Rusia do ta respektojë vendimin e saj.

“Jo, nuk do ta bëjmë atë. Nuk do të jemi pengesë sepse ne e respektojmë vendimin e popullit të Maqedonisë. Ju mund të thoni se do të kemi ndonjë lloj ndikimi në këtë, por nuk është ashtu. Politika jonë është në drejtim të krijimit të botës më polare. Ne në këtë moment kemi shumë shokë dhe miq të rinj dhe ndjehemi gjithnjë e më të bindur dhe për këtë arsye jemi të hapur ndaj tyre, por nëse miqësia jonë dikujt nuk i nevojitet, atëherë ne për fat të keq, vetëm do ta konstatojmë atë”, u shpreh Aleksandar Dugin, analist politik nga Rusia.

Dugin, kontestin e emrit e sheh çështje për të cilën vendos vetëm Maqedonia. Ky është gjithashtu edhe qëndrimi i Kremlinit, por ai thotë se askush nuk ka të drejtë për ta privuar një popull nga emri apo identiteti i tij, gjë që sipas tij është nënçmuese.

“Për shembull nëse neve na kushtëzojnë me atë se “Rusia do të kthehet në “G8”, nëse hiqni dorë nga emri Rusia”. Por, populli ynë nuk do ta lejojë atë. Ne jemi rusë, ju jeni maqedonas dhe ndjeheni si maqedonas. Pse ju ta ndryshoni emrin tuaj?”, tha Dugin.

Në intervistë, Dugin tha se ndikimi i SHBA-ve në shumë pjesë të botës është në rënie, kurse rasti i njëjtë është edhe me Bashkimin Evropian, ku më shumë vende-anëtare po e shqyrtojnë mundësinë për t’u larguar. Dugin i komentoi edhe zhvillimet në Malin e Zi dhe hyrjen e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, por me vendosmëri e hodhi poshtë përfshirjen e Rusisë në këto ngjarje.

“Të gjitha këto spekulime rreth ndërhyrjes sonë në Mal të Zi, Maqedoni, Kataloni, Francë apo në vende të tjera, janë vetëm kjo – spekulime. Të gjithëve u nevojitet armik i ri. Ata, armikun e tyre e gjetën në Rusi, por armikun e gjetën madje në Amerikë, e ai është Trampi”, shtoi ai.

Aleksandar Dugin apo “Truri i Putinit”, sot mori pjesë në panel debat “Republika e Maqedonisë në aleancë strategjike me Rusinë dhe anëtarësimi në Bashkimin euro-aziatik ekonomik”, i organizuar nga partia e vogël politike “Maqedonia e Vetme” e Janko Baçevit.