KFOR-i ka bërë të ditur se është duke e monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës, derisa shtoi se presin që të ketë përmbajtje ndaj dhunës.

“Po e monitorojmë nga afër situatën në veri të Kosovës. KFOR-i ka aftësinë dhe personelin për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet nën mandatin tonë të OKB-së, Rezoluta 1244 e vitit 1999. Që nga tetori ne kemi përforcuar praninë tonë, duke përfshirë edhe me trupa dhe patrullime shtesë në veri të Kosovës këtë javë. Ne presim që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me NATO-n dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës, për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve”, ka shkruar KFOR-i në Twitter.

KFOR-i u ka bërë thirrje të dyja palëve që të angazhohen për të mundësuar lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe zgjidhja të kërkohet përmes dialogut.

“Ne i nxisim të gjitha palët që të angazhohen për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të përmbushim mandatin tonë të OKB-së për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, thuhet tutje në shkrimin e KFOR-it.