Ndërtimi po bëhet 1000 kilometra larg detit dhe një gjë dihet, që nuk do te fundoset. Anija origjinale u fundos në vitin 1912, në lundrimin e saj inaugurues.

Kur të përfundojë, kopja e anijes do të ketë përmasat; 269 metra e gjatë ndërsa 28 metra e gjerë dhe do të jetë riprodhim i plotë origjinalit të Titanikut, duke përfshirë sallën e vallëzimit, teatrin, pishinën dhe dhomat, sipas agjensisë shtetërore kineze Xinhua, raporton CNN

Kostoja totale e projektit pritet të jete rreth 145 milionë dollarë.

Kopja po ndërtohet si pjesë e zhvillimit të turizmit të financuar pjesërisht nga qeveria e qarkut Daying, në provincën Sichuan të Kinës.

Daying ndodhet rreth 130 kilometra nga kryeqyteti provincial Chengdu, dhe disa qindra kilometra nga deti. Kopja e Titanikut do të ankorohet në mënyrë të përhershme në një rezervuar në lumin Qijiang.

Planifikimi i projektit ka qenë duke u zhvilluar për më shumë se dy vjet, ndonëse ndërtimi ka filluar vetëm këtë javë, shkruan gazeta shtetërore China Daily.

“Pasi që Titaniku u fundos, askush nuk e ka parë atë të plotë”, i tha gazetës, Su Shaojun, një prej financuesve të projektit.

“Shumë fragmente të anijes përfunduan në duart e mbledhësve ose kanë humbur. Ne kemi shpenzuar shumë vite mbledhjen e fragmenteve të projektit nga shumë pjesë të botës dhe arritëm të marrim shumicën e tyre”.

Titanik II

Titaniku në Sichuan nuk është e vetmja përpjekje e kohëve të fundit për të rikrijuar anijen e fundosur.

Manjati nga Australia, Clive Palmer, donte të fillonte punën për krijimin e kopjes së anijes, Titanikun II, këtë vit, por projekti u shty të paktën dy vjet dhe mediat në Australi njoftuan se kompania e ndërtimit e ndali punën./Express/