Italia, vendi më i goditur në Evropë nga virusi Covid-19, ka hyrë në ditën e dytë të izolimit për shkak të koronavirusit, ndërsa në ndihmë i ka dalë shteti me më së shumti viktima të virusit të ri në botë, Kina.

Një ditë pasi presidenti kinez deklaroi se vendi i tij është duke shkuar drejt fitores në luftën me koronavirusin, shteti komunist sot e dërgoi një sinjal të fuqishëm duke i ofruar ndihmë konkrete Italisë.

Ministri i jashtëm italian, Luigi Di Maio, i cili është përkujdesur më parë që të kultivojë lidhje të ngushta me Pekinin, e zhvilloi një bisedë me homologun e tij kinez, Wang Yi.

Kështu, Kina ia ka ofruar Italisë 100 mijë maska, 20 mijë palë rroba mbrojtëse dhe 1 mijë ventilator. Mediet shtetërore kineze gjithashtu raportuan se Kryqi i Kuq Kinez po e shqyrton mundësinë e dërgimit të një ekipi mjekësor në Itali.

Ndryshe, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se janë ndarë 25 miliardë euro për fondin e masave kundër koronavirusit, shkruan “BBC”.

Tash për tash, tri shtete të Bashkimit Evropian – Gjermania, Franca dhe Republika Çeke – e kanë ndaluar eksportimin e maskave për t’i siguruar që stafi mjekësor dhe banorët e tyre të mos kenë mungesë të këtyre pajisjeve.