Pas dërgimit të dokumentit të Ligjit për Shtetësi në Qeveri, nga ana e Ministrisë e Punëve të Brendshme, sot partitë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa akuzuan ministrin e Brendshëm Oliver Spasovski për përzierje të panevojshme në këtë çështje. Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët u shpreh se ky është një skandal i barasvlefshëm me veprimet e sistemeve totalitare. Ai gjithashtu pyet se ku janë zyrtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe se a pajtohen me veprimet e minisitrit të Brendshëm.

Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët

“E pyesim publikisht ministrin e policisë, kush u pyeti juve për mendimin që i drejtuat me një shkresë urgjente Qeverisë duke dhënë mendim për propozim ndryshim ligjin në fjalë, pse na qenka kaq urgjente kjo çështje që sipas jush dhe qeverisë, sa që nuk ju ka penguar të nënshkruani këtë dokument që në thelb është me përmbajtje shoveniste dhe të orientuar kundër pjesës së qytetarëve të Maqedonis së Veriut njësoj siç është edhe ligji ekzistues për shtetësi”.

Rikujtojmë që para disa javësh Aleanca dhe Alternativa propozuan në Kuvend ndryshim e Ligjit për Shtetësi. Ky propozim parasheh që shtetësinë ta fitojnë të gjithë qytetarët që kanë qenë banorë të Maqedonisë nga dita e pavarësisë dhe këtë ta dëshmojnë me tre dëshmitarë. Në propozimet e opozitës shqiptare po ashtu kërkohet që edhe gjuha shqipe të hyjë si opsion në kushtet që kërkohen për fitimin e nënshtetësisë. /SHENJA/