Tanimë kur të gjithë vendet e rajonit vazhdojnë me imunizimin e qytetarëve me vaksina kundër Covid 19 dhe mburren me shifra konkrete për vaksinime për kokë banori, Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po i dështojnë njëra pas tjetrës të gjitha përpjekjet për të siguruar vaksina. Së fundmi, ishim dëshmitarë që këtij mozaiku të dështimeve iu shtua edhe ai për sigurimin e vaksinës kineze. Çuditërisht, nga kontingjenti i paraparë i këtyre vaksinave shtetet, si Mali i Zi dhe Hungaria, arritën t’i marrin vaksinat e parapara, ndërsa qytetarët e Maqedonisë së Veriut edhe një herë dëgjuan vetëm fjalë dhe premtime boshe.
Ky prolongim pafund i imunizimit të popullatës pos që drejtpërdrejt po e rrezikon jetën e qytetarëve tani që vala e tretë e pandemisë është në shfaqje e sipër, ajo po i zbeh skajshmërisht edhe shpresat për një hapje graduale të shtetit tonë dhe të ekonomisë vendore. Madje, kur të gjitha vendet e rajonit e të BE-së të kenë përfunduar me këtë proces, do të pasojë izolim me pasoja të papara për vendin tonë.
Sado e paaftë të jetë një qeveri, minimumi do të kishte arritur të sigurojë vaksina për qytetarët e saj, duke u bërë pjesë e kontingjentit të vaksinave të shteteve të mëdha mike. Por, kjo qeveri as këtë nuk arriti ta bëjë. Andaj jemi sot këtu të themi që teatri me votëbesim në parlament nuk e fshehin humbjen e jetëve të qytetarëve. Ose le të sigurojnë vaksina ose le të ikin.