Në Kodrën e Diellit akoma nuk ka rënë sasi e duhur e reshjeve të dëborës që të fillojë sezoni i skijimit dhe rekreimit. Priten reshje me të mëdha që të shpallet sezona e hapur. Çmimet sipas Armend Fazliut, zëdhënës në Komunën e Tetovës janë identike me ata të viteve të Kaluara, shkruan gazeta KOHA.

“Qendra Turistike “Kodra e Diellit” menaxhohet nga kompania aksionare SH.A “ELEM”. Çështjet e investimeve dhe pronësisë i ka kjo kompani. Nisur nga ky fakt Komunës së Tetovës i ngelet pak hapësirë juridike veprimi për këtë aset të çmuar ekonomik të Tetovarëve. Megjithatë me qeverinë e re reformatore jemi optimist që do të mund të gjejmë rrugë mirëkuptimi për sa i takon planit të investimeve kapitale që do të shpinte në transformimin e kësaj qendre me potencial të jashtëzakonshëm ekonomik. Sa i takon borës ende nuk është e mjaftueshme për fillimin e sezonit të ri dimërorë, sezoni fillon diku në janar. Çmimet e hoteleve janë standarde si në vitet e kaluara’ tha për KOHA, Fazliu.

Ndryshe, në bazë të informacioneve të publikuara nëpër ueb faqet e hoteleve të Kodrës së Diellit, çmimet për një natë sillen prej 1.200 denarë deri në 2.500 varësisht prej hotelit që e zgjedh një person. Qendra “Kodrës e Diellit” shtrihet në lartësinë mbidetare 1780 metra, 18 kilometra nga Tetova, 48 kilometra nga Kodra e Diellit deri në Shkup (70 km nga aeroporti i Shkupit). Deri në qendër arrihet përmes udhës së asfaltuar dhe nëpërmjet teleferikut në gjatësi prej 7 kilometra, me të cilin mjet udhëtimi arrihet për 40 minuta, me një ndryshim lartësie prej 1400 metrash./Koha/