Disa ditë pas konfliktit të Kumanovës, Xhezair Shaqiri, Komandant Hoxha, në emisionin “Rrokum Rroll” në Tv Rrokum, pat thënë se Ali Ahmeti dy ditë para vrasjeve në Kumanovë ka zhvilluar një bisedë telefonike me njërin prej komandantëve të UÇK –së, Komandant Malishevën.
Për konfliktin në Kumanovë Shaqiri tha se ky asht një konspiracion shtetëror.
“Ali Ahmeti ka pasë takim me ish-komandantët e UÇK-së dhe dy ditë para rastit në Kumanovë. Ali Ahmeti ka folë me Muhamet Krasniqin-Komandant Malisheven në telefon”, tha komandant Hoxha, duke akuzuar Ahmetin se i ka futur njerëzit në betejë dhe në fund nuk i ka tërheq.
Sipas tij, Beg Rizaj është i manipuluar prej strukturave të BDI-së për çështje kombëtare dhe rrethanat e luftës.
Komandant Hoxha tha se u ka thënë këtyre djemve se janë në misionin e gabuar, por ata sipas tij, “ata i ka thirr dikush se brenda 3 e 4 ditësh kanë me ba aksion në përvjetorin e Harun Aliut”.
Ai tha se u ka bërë lutje që askush mos me ardh në Kumanovë, sepse nuk i pret askush, madje as bukë nuk kane me ju dhanë, duke shtuar se “tash nuk asht momenti i luftës, por i dialogut”.
“Tash është momenti që Qeveria e Gruevskit me Ali Ahmetin me shkue në historinë e bërllokut”, tha ai.