Dje ishte datëlindja e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Komandant Kumanova. Institucionet e vendit zakonisht të rënët për liri, dëshmorët, e veteranët i përkujtojnë vetëm në ditë përkujtimore, por që nuk duhet të jetë kështu pasi të gjithë dëshmorët dhe veteranët nuk kanë kursyer asgjë prej vetes së tyre, vetëm për këtë liri që po e gëzojmë ne sot. Prandaj, ajo që duhet të bëjnë qytetarë është nxitja e institucioneve për përkujdesje për familjarët e të rënëve për liri, dhe vlerësim i lirisë që nuk erdhi si dhuratë por u fitua me shumë sakrificë. Në mesin e shumë dëshmorëve në luftën çlirimtare në Kosovë është edhe Komandant Kumanova, që vet emri i tij tregon edhe origjinën. Krenarë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për veprën heroike të Ismet Jasharit që e vendosi jetën e tij në shërbim të idealit shqiptarë, për liri dhe drejtësi, për pavarësi dhe çlirim të shqiptarëve në Kosovë. Lufta u fitua, vendi u bë i pa varur, tani trupat e të rënëve për këto janë të qetë, pasi misioni i tyre u përmbush. Komandant Kumanova, Ismet Jashari, përmendet shpesh herë por cila është biografia e tij, dhe si ra për liri dhe në përpjekje për të marrë trupat e të shokëve të tij të cilët kishin ra para tij, shkruan Zhurnal.

Komandant Kumanova, Ismet Jashari, po të ishte gjallë dje mbushte 56 vjet?

Dje ishte datëlindja e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Komandant Kumanova. Ai lindi në fshatin Orizare të Kumanovës më 16 prill 1967. Ishte i biri i Jashar Jasharit e i nënë Nuries. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës. Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.

Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës. Më 24 gusht në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në ushtarë dhe në teknikë lufte, luftëtarët militantë, Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, nuk kishin arritur të tërhiqeshin.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.

Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, “Ismet Jashari-Kumanova”.

Për kontributin e jashtëzakonshëm që dha në luftën për çlirimin e Kosovës, më 25 gusht të vitit 2009, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Ismet Jasharin me urdhrin “Hero i Kosovës”. Në shenjë mirënjohjeje për përjetësimin e veprës heroike të Ismet Jasharit – komandant “Kumanovës”, atij i ngritën shtatoren afër Shtëpisë-Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në Orizare. Në komunën e Likovës, në shenjë respekti, shkolla e mesme mban emrin e tij.

Kujtojmë që, një rëndësi të veçantë paraqesin edhe luftëtarët e lirisë nga trevat e tjera shqiptare të cilët ishin tepër të rëndësishëm dhe të nevojshëm në ndihmën e dhënë për lirinë e Kosovës. Në kuadër të shumë personaliteteve dhe luftëtarëve të lirisë, ishin edhe 10 dëshmorët e rënë në luftën e Kosovës nga Maqedonia e Veriut, të cilët sakrifikuan edhe jetën për lirinë e Kosovës. Ata janë: Beqir Limani, Kërçovë, Ismet Jashari, Kumanovë, Safet Ajeti, Kumanovë, Ismet Mustafa, Kumanovë, Mujdin Aliu – Tetovë, Aliriza Selmani, Tetovë, Remzi Xhaferi, Shkup, Tahir Osmani, Shkup, Shabi Kajolli, Shkup dhe Zekir Dardhishta, Shkup. /Zhurnal.mk