Komisioni Anketues për rastin “Lagjja e Trimave” ende nuk ka mbajtur asnjë seancë apo mbledhje pune, ndërkaq avokati i të dënuarve në këtë rast, Naser Raufi, thotë se askush nuk e kontaktuar fare se çfarë po ndodh me këtë komision, shkruan Portalb.mk.
Avokati mbrojtës, Naser Raufi, thotë për Portalb.mk se ku komision nuk është i bërë i gjallë sa i përket komunikimit me palën mbrojtëse.
“Ky komision nuk është bërë i gjallë sa i përket komunikimit me palën mbrojtëse. Nuk kemi asnjë lloj informacioni, lidhur me këtë komision. Nuk na kanë kontaktuar për asgjë dhe nuk kanë kërkuar nga ne asgjë, asnjë lloj materiali apo diçka të tillë”, tha për Portalb, Raufi i cili po ashtu theksoi edhe një herë se madje edhe lënda nuk është dërguar në gjykatën e Apelit për shkak të mos seriozitetit dhe inkopetencës së Gjykatës Themelore për të përkthyer aktgjykimin tani më që gjashtë muaj.
Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi, thotë për Portalb.mk se deri më tani Komisioni anketues ka mbajtur vetëm një mbledhje dhe atë mbledhje konstituive dhe se nuk ka njohuri se përse kryetari i tij, Fadil Zendeli nuk thërret seancë për të dorëzuar dokumentacionin e mbledhur.
“Kryetari i Komisionit Anketues pranë Parlamentit të Maqedonisë, nuk e ka thirr ende mbledhjen për Rastin e Kumanovës. Ka material që është grumbulluar. Nuk e dimë se a e ka në plan apo jo të thërret mbledhje apo seancë. Deri më tani është mbajtur vetëm mbledhja konstituive”, tha për Portalb, Alimi.
Për dallim nga ai, kryetari komisionit, Fadil Zendeli thotë për Portalb.mk se BDI duhet të merr iniciativë, ngase sipas tij ata kanë biseduar me familjarët, dhe se ai nuk ka asnjë lloj informacioni sa i përket materialeve të mbledhura për këtë rast.
“Lagjja e Trimave” – Rasti i Kumanovës
“Iniciativa për këtë rast nuk është e imja por është e tyre, e BDI-së. Ata i kanë takuar familjarët, unë nuk kam pasur asnjë takim. Ajo është fshehje nga e vërteta, komisionet parlamentare kurrë nuk kanë zgjidhur asnjë problem. BDI për qëllime politike e bën këtë. Nuk ka asnjë lloj iniciative që të bëhet ndonjë takim apo diçka. Ejup Alimi ka pasur takim me familjarët, ata kanë premtuar. Unë nuk ndërmarr iniciativë pasi që nuk besoj që mund të bëhet diçka. Le të marrin ata iniciativë dhe unë do ta aprovoj. Ata duan të ikin nga e vërteta dhe dëshirojnë që nëpërmjet komisioneve parlamentare ta trajtojnë këtë çështje, nuk ka rezultat, nuk ka shans të ketë rezultat. Zyrtarisht duhet të marrin iniciativën, dhe unë do e aprovoj”, tha për Protalb, Zendeli.
Rexhail Ismaili nga radhët e BDI-së, i cili është anëtar i këtij komisioni tha për Portalb.mk se “janë duke shqyrtuar rastin në forma të ndryshme”, por nuk ka ende informacion se kur do të mbahet mbledhja e parë për shqyrtimin e rastit.
“Ende nuk jemi ulur për të biseduar për rastin në fjalë. Ne jemi duke shqyrtuar rastin në forma të ndryshme. Unë e kam nisur procedurën së bashku me prokuroren e Kumanovës rreth pyetjeve të deputetëve ta definojmë, ta shohim problemin”, tha për Portalb, Ismaili.
LEXO: Komisioni Anketues për “Kumanovën”, asnjëri nga deputetët e Maqedonisë nuk ka ngritur iniciativë
Ndryshe, pas vendimit të 2 nëntorit për rastin “Kumanova” me të cilin grupi që luftoi me forcat e sigurisë së Maqedonisë më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Lagjen e Trimave të Kumanovës, u dënua me 7 shekuj e gjysmë burg dhe 7 dënime me burgim të përjetshëm, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, paralajmëroi formim e Komisionit Anketues në Kuvendin e Maqedonisë. Sipas ekepertëve juridik që komisioni anketues për rastin “Kumanova” të ketë efekt duhet të kemi reformim të tërësishëm të gjyqësorit, veçanërisht të Këshillit Republikan dhe Këshillit të Prokurorëve Publik.
Ky komision është formuar pasi që vazhdimisht është folur në opinion, por edhe nga vetë të dënuarit se ka dyshime për inskenim të këtij rasti nga ish pushteti i Nikolla Gruevskit. Për të njëjtat arsye është kërkuar edhe hetim ndërkombëtar nga faktori i brendshëm dhe i jashtëm.
Së fundmi është formuar komision anketues edhe për rastin e vogëlushit Almir Aliu nga Kumanova. Vite më parë u formua Komision Anketues për rastin “Sopoti”, vendimi i atëhershëm ishte që të ripërtërihet procesi gjyqësor, mirëpo ky vendim nuk u mor parasysh nga gjykata. Komisione Anketuese ka pasur edhe për përgjimet e paligjshme, falsifikimin e letërnjoftimeve, për të “Hënën e Zezë” që ndodhi më 24 dhjetor të vitit 2012 dhe për zgjidhjen e problemit me njësitë zgjedhore në Maqedoni, por ato dështuan pa sjellë ndonjë rekomandim për rastet për të cilat u formuan.