8 C
Tetovo
E mërkurë, 22 Korrik, 2026
BallinaLajmeMaqedoniKomiteti drejtues sot do të vendosë për rikthimin në funksion të ujësjellësit...

Komiteti drejtues sot do të vendosë për rikthimin në funksion të ujësjellësit të Gostivarit

Komiteti drejtues për gjendje krizash do të mbajë sot në mesditë një seancë, në të cilën pritet të merren vendime dhe të miratohen planet për rikthimin në funksion të ujësjellësit të Gostivarit”, njoftuan kryeministri Hristian Mickoski dhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, gjatë vizitës në repartin e rikonstruktuar të traumatologjisë në Klinikën për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup.

“Sot, në orën 12:30, kemi një seancë të Komitetit drejtues për gjendje krizash, në të cilën do të merren vendime”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Ai theksoi se prioritet është sigurimi i furnizimit normal me ujë, pasi, siç tha ai, institucionet shtetërore kanë ndërmarrë aktivitetet për tejkalimin e kësaj gjendjeje.

“Është e rëndësishme që tani, pasi gradualisht dhe me siguri punët po ndërmerren nga institucionet shtetërore pas periudhës së plogështisë që ekzistonte në komunë, fillimisht të sigurojmë ujë teknik dhe më pas edhe ujë të pijshëm”, tha Mickoski.

Në lidhje me hetimin, kryeministri theksoi se Prokuroria po vepron për përcaktimin e përgjegjësisë.

“Të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të merren në pyetje dhe, natyrisht, të ndërmerren masa kundër tyre. Tre persona janë identifikuar në këtë drejtim. Sa di unë, janë caktuar masa sigurie, kështu që institucionet reaguan në afatin më të shkurtër të mundshëm”, tha kryeministri.

Ministri Klekovski informoi se në seancë do të shqyrtohen dhe miratohen planet profesionale për rikthimin e ujësjellësit në përdorim.

“Sot, në orën 12:00, Komiteti drejtues për gjendje krizash do të mbajë një seancë, në të cilën do të miratohen planet që u dakorduan dje dhe sot për rikthimin e ujësjellësit në përdorim. Konsiderojmë se gjendja shëndetësore tashmë është plotësisht nën kontroll dhe epidemia po qetësohet, prandaj tani fokusi është në rikthimin në funksion të ujësjellësit të Gostivarit. Sa i përket planit, ekipet nga Gostivari po punojnë në përgatitjen e tij dhe për momentin nuk do të mund ta paraqisja. Në orën 12:00 ai do t’i prezantohet Komitetit drejtues. Kjo është punë profesionale e ekspertëve përkatës për furnizim me ujë. Do të shohim se çfarë do të propozojnë. Qëllimi ynë është që ujësjellësi të vihet sa më shpejt në funksion, por vetëm pasi të kalojë të gjitha testimet dhe kontrollet e nevojshme”, tha ai.

Sa i përket dëmeve, aty ku ka dëmtime, siç tha ai, ekziston edhe sigurimi.

Duke iu referuar shkaqeve të krijimit të kësaj gjendjeje, ai rikujtoi se përgjegjësia për cilësinë e ujit është te ndërmarrja publike komunale.

Ai shtoi se Qendra për Shëndet Publik – Tetovë, përmes njësisë së saj rajonale në Gostivar, ka fituar prokurimin për kryerjen e kontrolleve.

Ai apeloi që opinioni publik të informohet përmes kanaleve zyrtare dhe të mos u nënshtrohet spekulimeve, duke shtuar se analizat e mostrave vazhdojnë në laboratorët e Klinikës për sëmundje infektive dhe se aktualisht nuk janë përcaktuar agjentë që do të tregonin ndryshim të gjendjes klinike të deritanishme te të sëmurët.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments