Kompania e cila transportoi 83 pasagjerë drejt një karantine të krijuar për të dyshuarit e prekur nga coronavirusi është përballur me kritika për mosdhënien e mjeteve mbrojtëse të shoferëve të saj.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për fotografi të cilat janë vlerësuar tronditëse, pasi në to shihen shoferët e Horseman që kishin të veshura uniformat e tyre normale të premten.

Ata mund të shiheshin me këmisha dhe kravata – ndërsa një doktor me veshje mbrojtëse gjendej i ulur në ulësen pranë.

Ndryshe një total prej 83 britanikësh dhe 27 shtetas të huaj zbarkuan në Mbretërinë e Bashkuar pasi fluturuan nga qyteti qendror i Kinës, Wuhan, qendra e një epidemie virusesh që ka vrarë më shumë se 200 njerëz dhe ka infektuar më shumë se 9,000 të tjerë.

Por një zëdhënës i firmës së transportit pohoi se Public Health England tha që maskat nuk ishin të nevojshme pasi udhëtarët ishin ekzaminuar tashmë për virusin.

Një deklaratë në faqen e internetit të kompanisë thoshte: “Më 30 janar 2020, Horseman Coaches u kontaktua në emër të Qeverisë Britanike për të ndihmuar në riatdhesimin e qytetarëve britanikë nga Kina pas shpërthimit të coronavirusit. Çdonjëri nga britanikët është karantinuar për 8 ditët e fundit në Kinë dhe askush nga individët në aeroplan nuk paraqiti ndonjë shenjë të virusit”.

“Kështu, kompania u këshillua nga Zëvendës Shefi i Mjekësisë për Shëndetin Publik në Angli se drejtuesve të automjeteve nuk u kërkohej të vishnin pajisjet speciale”.