Kongres i jashtëzakonshëm i VMRO-DPMNE-së do të mbahet më datën 23 të këtij muaji, vendosi mbrëmë Komiteti ekzekutiv i partisë.

Në një kumtesë të VMRO-DPMNE-së theksohet se Komiteti ekzekutiv ka vendosur që t’i propozojë Komitetit qendror në seancën e ardhshme të fillojë procedurë për organizimin e Kongresit të jashtëzakonshëm të partisë.

Në kongresin e jashtëzakonshëm pritet të shqyrtohet dorëheqja e paralajmëruar e liderit të partisë Nikolla Gruevski, të cilën ai e paralajmëroi në një intervistë për “Kurir”.

Në Komitetin e djeshëm ekzekutiv u dënuan, siç tha, “akuzat e montuara politike për terrorizëm dhe paraburgimet e pabaza të cilat iu shqiptuan anëtarëve të partisë, artistëve dhe personave të përfshirë me ngjarjet e 27 prillit”.

“Keqpërdorimi i institucioneve shtetërore të cilat nën presion politik të pushtetit hyjnë nëpër shtëpi dhe iu vendosin pranga deputetëve është akt i terrorit dhe shkeljes së demokracisë. Komiteti ekzekutiv konkludoi se një marrëzi e tillë nga ana e LSDM-së e shtyn shtetin në një krizë edhe më të thellë dhe prandaj duhet të merren hapa të ardhshme me të cilat do t’i jepet fund ndjekjes politike dhe revanshizmit politik”, thuhet në kumtesë. /Fol/