Koreja e Veriut lëshoi ​​sot dy raketa me rreze të shkurtër nga një pikë jashtë bregut të saj lindor, tha ushtria e Koresë së Jugut. Pheniani kishte paralajmëruar për një përgjigje ndaj stërvitjeve ushtarake nga trupat koreano-jugore.

Ky veprim i fundit i Koresë së Veriut vjen në një kohë kur këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan Joe Biden, Jake Sullivan, ndodhet në Tokio për takime me homologët e tij japonezë dhe koreano-jugorë.

Në takimin e Jake Sullivan me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut Cho Tae-yong dhe këshilltarin japonez për sigurinë kombëtare Takeo Akiba sot, ata diskutuan programin raketor të Koresë së Veriut dhe konfirmuan se do të punojnë së bashku që Pheniani të heqë dorë nga armët e tij bërthamore, sipas një deklarate nga Japonia.

Ministria e mbrojtjes e Japonisë tha se dy raketat balistike ranë brenda zonës ekskluzive ekonomike të vendit. Njëra ra në Detin e Japonisë rreth 110 km në veriperëndim të ishullit Hegura, pjesë e gadishullit Ishikaëa dhe tjetra rreth 250 km larg, thanë autoritetet japoneze.

Qeveria do të thërrasë një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, raportoi Kyodo News.