Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Xhonson në fjalimin e parë pas shërimit nga Koronavirusi tha se ky virus është sfida më e madhe për vendin pas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse po bie numri i të hospitalizuarve nga COVID 19, Xhonson tha se nuk mund të shfuqizojë masat kufizuese për shkak të valës së dytë të mundshme të pandemisë.

Duhet ta kuptojmë rrezikun e goditjes së dytë, rrezikun e humbjes së kontrollit  të atij virusi dhe rikthimin e fuqishëm, sepse kjo nuk do të nënkuptonte vetëm një valë të re të vdekjeve por edhe një katastrofë ekonomike gjithashtu”-tha Boris Xhonson, kryeministër i Britanisë së Madhe.

Britania është shteti i gjashtë më i prekur në botë, me mbi 150 000 të infektuar dhe 20 000 viktima. Por ndonëse SHBA është shteti më i prekur me rreth 1 milion raste dhe mbi 55 000 viktima dhe pritet që papunësia deri në fund të prillit të arrijë deri në 16%, shumë shtete amerikane kanë vendosur t’i zbusin masat izoluese. Ndërkohë kufizimet e lëvizjes në Spanjë, një nga shtetet më të prekura evropiane, janë zbutur duke i lënë fëmijët të dilnin jashtë për të parën herë pas 6 javësh. Spanja ka pasur një nga izolimet më rigoroze në Evropë, por autoritetet janë optimist se së shpejti do t’i lejojnë të gjithë qytetarët të dalin jashtë.

Në Gjermani nga dita e sotme bëhet e obligueshme bartja e maskave në vende publike. Në shtetin e pestë më të prekur në botë, 80% e agjencive turistike kanë kërkuar ndihmën e shtetit pas humbjeve nga kriza me virusin, ndërsa Ministrja e bujqësisë, Julia Kloeckner iu kërkoi qytetarëve që të planifikojnë që pushimet verore t’i kalojnë nëpër fshatrat më të afërt. Ministri gjerman i punës, Hubertus Heil po përgatit ligj për punë nga shtëpia edhe pas pandemisë, derisa që nga fillimi i krizës rreth 25% e punëtorëve kanë punuar në këtë mënyrë. Pos Gjermanisë edhe Italia, Franca, Gjermania dhe Belgjika kanë paralajmëruar lehtësim të masave. Zelanda e Re  shfuqizoi masën për distancë fizike, ndonëse qytetarëve iu kërkohet që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin kontaktin fizik.  Ndërkohë Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, iu bëri thirrje vendeve të përmbahen nga shkelja e të drejtave të njeriut derisa marrin masa të jashtëzakonshme për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Ajo theksoi se masat nuk duhet të jenë metodë që qeveritë ta kontrollojnë popullatën apo ta zgjasin kohën në pushtet.

Derisa në nivel global shifra e të prekurve ka shkuar në mbi 3 milion dhe e viktimave në mbi 207 000, përpjekjet për gjetjen e vaksinës po vazhdojnë. Së fundmi kompania gjermane “BioHtek” dhe ajo amerikane “Fajzer” u autorizuan për fillimin e hulumtimeve të para klinike të kandidatëve për vaksinë kundër COVID 19.