Kosova pret që shumë shpejt të marr rekomandimin për liberalizim të vizave. Me këtë edhe do të mësohet data se kur qytetarët e Kosovës do të mund të fillojnë të lëvizin pa viza në vendet e Zonës Shengen.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, në një intervistë për Top Channel ka thënë se pret që rekomandimi pozitiv për liberalizim të vizave të bëhet gjatë muajit qershor.

“Ne presim rekomandim pozitiv. Ne e meritojmë rekomandimin pozitiv për arsye se të gjitha kushtet të cilat kanë qenë të vëna për Kosovën, janë plotësuar. Keni parasysh Kosova është i vetmi vend pothuajse në Europë qe 8 vite që është pa liberalizimin e vizave. Në të njëjtën kohë Kosova i ka plotësuar kushtet mbi 30% më tepër se sa secili vend tjetër, i cili e gëzon këtë të drejtë, liberalizimin e vizave. Unë, tani nga fillimi i qershorit, do të kem një tur të vizitave në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, duke filluar nga Brukseli”.

Tutje, Veseli ka thënë se skepticizmi që ekziston brenda BE’së, assesi nuk duhet të ndëshkojë qytetarin e Kosovës.

“Përkatësisht në këto vende të cilat specifikisht kanë një rol apo mund të jenë pengesë në procesin e liberalizimit të vizave. Ne e meritojmë liberalizimin e vizave dhe në të njëjtën kohë unë e besoj shumë se skepticizmi i cili është brenda BE, nuk duhet as sesi ta ndëshkojë qytetarin e Kosovës, nuk duhet ta ndëshkojë Kosovën për arsye se në rrethanat në të cilat është aktualisht Kosova, kur ka bërë progres, i cili është për t’u shënuar kur ka plotësuar të gjitha kushtet, izolimi I qytetarëve i Kosovës si të vetmit qytetarë në Europë, do të ishte një damkë, e cila më tepër do të ishte e dëmshme për vetë reputacionin e Bashkimit Europian”, ka thënë Veseli.