Në Kosovë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka kërkuar veprimin e Prokurorisë nëse koalicioni i PDK-së, AAK-së dhe Nismës i njohur si PAN arrin t’i sigurojë 61 deputetë për formimin e Qeverisë.  Haxhiu ka thënë se nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë, PAN-i ka shantazhuar dhe blerë deputetët e Kuvendit.  “Është e qartë që asnjëri nga deputetet nuk do ta votonin për parime apo me bindje të lirë qeverisjen e klanit Pronto. Nuk mund të ketë përkrahje të vullnetshme për njerëz që janë përgjegjësit kryesor për mjerimin, varfërinë, padrejtësitë e pabarazitë por edhe për krimin e korrupsionin. Nëse koalicioni PAN arrin t’i ketë mbi 61 deputetë, do të duhej menjëherë të vepronte Prokuroria sepse dihet hapur se ka pasur blerje o shantazh të deputeteve! Nuk duhet lejuar që shitblerja e deputeteve të shndërrohet ne traditë. Raste te tilla kemi pasur edhe me herët dhe si te tilla janë injoruar nga prokuroria” ka theksuar Haxhiu.