Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës mori vendimi për rinumërimin e 30 kutive të votimit për “parregullsi të ndryshme që janë hasur gjatë pranimit të tyre në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve”, raporton Anadolu Agency (AA).

KQZ sot mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka, ku u mor vendimi për rinumërimin e 30 kutive të votimit. Ky propozim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, i cili edhe ka publikuar raportin e Qendrave të Numërimit dhe të rezultateve.

Nga Sekretariati i KQZ-së po ashtu u bë e ditur se numri i fletëvotimeve pas vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës është 5.246, e të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

Gjatë këtij takimi Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tha se edhe pse këto zgjedhje janë vlerësuar si zgjedhje të qeta, në ditët e ardhshme duhet të analizohen të gjitha mungesat gjatë procesit të zgjedhjes, si dhe rekomandimet e BE-së lidhur me procesin. Sipas tij po ashtu duhet të analizohet çështja e numrit të madh të fletëvotimeve të pavlefshme, ku sipas numërimeve të deritanishme është 52.500.

Kurse Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje foli për çështjen e fletëvotimeve jashtë vendit, ku si të regjistruar kishte rreth 15 mijë votues, por që numri i votave të arritura është vetëm 5 mijë. Ai theksoi se duhet të analizohet arsyeja se pse ky numër është i vogël.

Anëtarët e KQZ-së gjatë mbledhjes po ashtu theksuan nevojën e shpalljes së sa më shpejt të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që u mbajtën më 11 qershor.

Ndryshe më 11 qershor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme, ku deri më tani Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës (KQZ) ka publikuar rezultatet paraprake nga 99,88 për qind të votave të numëruara. Sipas këtyre rezultateve, koalicioni PDK-AAK-NISMA ka 33,92 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje 27,16 për qind të votave, kurse koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25,79 për qind të votave dhe Lista Serbe 5,88 për qind të votave.