Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve që shënohet në mbarë botën më 1 maj, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës mbajti një protestë, sipas saj, në shenjë pakënaqësie për gjendjen e punëtorëve në këtë sektor në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, raporton AA.

Me parulla dhe pankarta në duar punëtorët e sektorit privat të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, paga më të larta, zbatimin e ligjit të punës dhe formimin e gjykatës së punës filluan të marshojnë nga selia e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës drejt sheshit “Skënderbe” të kryeqytetit.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi duke iu drejtuar protestuesve të mbledhur para Teatrit Kombëtar të Kosovës tha se vetëm 5 për qind e punëtorëve në sektorin privat e gëzojnë të drejtën e stazhit, ndërsa ata në sektorin publik e kanë të garantuar me ligj. Ai theksoi se “Pronarët e kompanive duhet të pasurojnë vetveten kurse punëtori është vetën një mjet të cilin pronari mund ta shfrytëzojë në çdo kohë dhe në çdo formë”.

Azemi po ashtu vuri në dukje se që nga fillimi i vitit 2016 dhe deri më sot kanë humbur jetën 18 punëtorë, sepse sipas tij ata nuk kanë patur kushte adekuate për t’u mbrojtur nga fatkeqësitë gjatë punës.

“Vetë fakti se mbi 50 për qind e punëtorëve në sektorin privat nuk e kanë të drejtën elementare të punës, kjo shifër nuk do koment. Mbi 30 për qind të këtyre kontratave, që i kanë këta punëtorë janë kontrata mujore të cilat edhe nuk kanë mbështetje ligjore. Përderisa punëtorët në sektorin publik gëzojnë rritje të pagave të herëpashershme, në sektorin privat që nga viti 2011 nuk ka ndryshime dhe paga minimale është 130 deri në 170 euro “, tha Azemi.

Ndërsa, Mimozë Sopaj, menaxherja për burimet njerëzore në këtë Sindikatë, lexoi kërkesat e punëtorëve të sektorit privat ku kërkohet një pagë minimale neto 300 euro, të paguhet stazhi i punës si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat, të zbritet stazhi i punës nga 15 në 10 vjet për pensione, të formohet gjykata e punës, të zbatohet ligji i punës dhe të punohet për parandalimin e vdekjeve në vendet e tyre të punës.

Njëri nga protestuesit ishte edhe Fehim Bislimi, i cili është i punësuar në njërën nga shkollat e Prishtinës, por në kontekstin e një kompanie private. Ai në një deklaratë për AA tha se të gjithë punëtorët duhet t’i kërkojnë të drejtat e tyre.

“Është mëkat që në shtetin tonë një punëtor me 200 euro apo 130 euro të mbajë familje, të shkollojë fëmijë, të paguaj rrymën dhe ujin kurse ata dihet që pagat i kanë 15 herë më të larta”, tha Bislimi.

Në Kosovë në sektorin privat janë të punësuar rreth 230 mijë punëtorë, ndërsa në sektorin publik ky numër është shume më i ulët.