Disa javë pas vizitës së Ministrit të jashtëm të Maqedonisë në Greqi, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, nesër do të vizitojë Shkupin, për të vazhduar bashkëpunimin dypalësh mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Kotzias sipas Ministrisë së jashtme të Greqisë, do të takohet me homologun e tij Nikolla Dimitrov, ku do të ketë bisedime të zgjeruara rreth ndërtimit të besimit në mes të dyja shteteve, si dhe rreth gjërave që e pengojnë Maqedoninë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Sipas paralajmërimeve çështja e emrit, këtë herë nuk do të shtrohet në tryezën e bisedimeve.
Kotzias pas deklaratës së përbashkët me shefin e diplomacisë maqedonase, do të takohet me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, dhe zv/kryeministrin për marrëdhënie me BE-në, Bujar Osmani si dhe me përfaqësuesit e partive parlamentare.
Lidhur me pritshmëritë e vizitës së homologut të tij grek, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka thënë se është e rëndësishme edhe për Greqinë që ta pranojë momentin e ri në Maqedoni dhe ta mbështesë atë.
“Edhe për Greqinë është e rëndësishme që të ketë fqinj stabil, ta njohë dhe mbështesë angazhimin e ri të Qeverisë dhe përpjekjet tona që të bëhemi anëtarë i plotë i NATO-s. Shpresojmë se do ta njohin atë. Nuk duam lojra me taktizime me Greqinë, duhet të jemi aleatë. Aq shumë kemi qenë të mbërthyer në baltë dhe a1 shumë ka qenë e shkelur politika ndërkombëtare, por kemi marrë hapa kyçe për përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët. Duhet ta bindim Greqinë se nuk jemi problem i tyre.”
Po ashtu edhe negociatori i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic ka rinisur punën për të gjetur zgjidhje historike në mes dy shteteve. Gjatë verës ai ka takuar Nikolla Dimitrovin dhe Nikos Kotzias. Vizita e Kotzias në Shkup, pas takimit të tij në Bruksel me ndërmjetësin për çështjen e emrit, Metju Nimic, paraqet edhe një tjetër tentim për harmonizim të qëndrimeve për zgjidhje të mundshme për çështjen e hapur. /SHENJA/