Kryeministri, njëherazi edhe kryetar i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski me sa duket as nuk dëshiron të dëgjojë për kërkesën e VMRO-DPMNE-së për referendum në lidhje me propozimin francez! Thotë se qytetarët që në referendumin për pavarësi janë shprehur se duan shtet anëtar në BE dhe NATO, kundër të cilave, sipas Kovaçevskit, janë VMRO-DPMNE dhe partneri i saj “Levica”.

“Ai referendum për të cilin flet kryetari i VMRO-DPMNE-së është thjesht për përdorim të tyre të brendshëm, sepse nuk ka parti politike, përveç partnerit të tij “Levica”, parti e cila është kundër BE-së dhe NATO-s dhe e cila është për njëfarë Lidhje Aziatike me Rusinë. Ajo parti politike fillimisht duhet të qartësohet ideologjikisht tek vetja, nëse duan ose jo ta shohin Maqedoninë e Veriut anëtare të BE-së. Ajo që mund të them është se Maqedonia e Veriut i nisi bisedimet, me gjuhë maqedonase të pastër, me identitet të mbrojtur, e thënë jo vetëm nga ne por e shkruar edhe në letër”, theksoi Dimitar Kovacevski, kryeministër.

Pas këtyre deklaratave, VMRO-DPMNE-ja reagoi duke thënë se “me kundërshtimin e referendumit Kovaçevski e shumëzoi popullin me zero, ndërsa populli do t’i tregojë se ai është zero”. Nëse gjithçka është siç thotë Kovaçevski, atëherë nuk ka pse të ketë frikë nga politikat e tij, thonë nga VMRO-DPMNE, kreu i së cilës dje tha se janë të gatshëm për konsensus me pushtetin për pyetjen e referendumit, madje kjo mund të bëhet edhe në një takim liderësh.

“Ne jemi për referendum obligues, formalo-juridikisht shoh se ka debat nga ana e pushtetit dhe ato instalimet e pushtetit në opozitë që si qëllim të përbashkët e kanë që ky referendum të mos ketë sukses në aspektin formal-juridik, që të mos ketë 50% +1 e zgjedhësve në listë zgjedhore, kjo është e përbashkëta mes pushtetit të drejtuar nga LSDM dhe BDI dhe këto pak instalime të parëndësishme të pushtetit në opozitë dhe bllokun maqedonas. Vetëm ata kanë dëshirën e vetme që referendumi të mos ketë sukses”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski po ashtu tha se qëndrimi i ekspertëve të tij dhe Presidentit Stevo Pendarovski është i përafërt kur bëhet fjalë për pyetjen që do të parashtrohej në referendum. Përndryshe, Pendarovski ditë më parë u shpreh se me sa po kupton, pyetja e referendumit nuk do të jetë për ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, por për marrëveshjen dypalëshe me Bullgarinë. Sipas tij do të ishte e ndershme që pyetja e referendumit të jetë: “A doni të shkoni në BE në këto kushte?”, pa përmendjen e marrëveshjeve me shtetet fqinje dhe pikave konkrete në to. Andaj sipas kreut të shtetit opozita duhet të dalë me një formulim të ndershëm dhe nëse ndodh kjo, të gjitha partitë të dalin në referendum, jo ​​të bojkotojnë.