Duartrokitje në këmbë dhe të tejzgjatura. Kjo skenë u përsërit disa herë mbrëmë gjatë mbledhjes 4-orëshe të Komitetin Qendror të VMRO-DPMNE-së.

“E po ishte seancë historike”.

Vendimet që Komiteti i mori me votim të fshehtë është shkarkimi nga të gjitha detyrat partiake i nënkryetarit Mitko Jançev dhe anëtarit të Komitetit Ekzekutiv Konstandin Bogdanov. Gjithashtu Komiteti më i lartë i partisë opozitare kërkoi nga Komitetet komunale që t’i heqin nga anëtarësia ish-shefin e DSK-së Sasho Mihajllkov dhe ish-ministrin Nikolla Todorov. Këto shkarkime, siç deklaroi nënkryetari Aleksandar Nikollovski, bëhen për shkak të veprimeve kundër interesave të partisë, presioneve, ndikimit dhe blerjes së votës së deputetëve opozitar, gjë për të cilën kërkuan edhe hetim nga prokuroria.

“Duan që të përgëzojmë për koalicionin e ri kriminal në Republikën e Maqedonisë Zoran Zaev, Vice Zaev, Sasho Mihajllkov. Për fat të mirë VMRO ka mekanizëm që të pastrohet dhe të hapërojë përpara”, tha Aleksandar Nikolovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

VMRO-DPMNE kërkon dorëheqje edhe nga 8 deputetët e saj që votuan pro nevojës për hapjen e Kushtetutës. Shkarkim nga partia e pret edhe çdo deputet tjetër që në të ardhmen mund të votojë pro ndryshimeve kushtetuese paralajmërojnë nga opozitarja. Sipas Nikollovskit, këto shkarkime e pastrojnë partinë nga e keqja dhe e kthejnë atë në idealet fillestare. Por për Filip Petrovskin i cili vazhdimisht ka kërkuar reformim të VMRO-DPMNE-së, këto ngjarje dramatike e çojnë partinë në izolim dhe ndasi edhe më të thella.

“Aspak nuk ka demokraci. VMRO-DPMNE premtoi se do të bëjë reforma adekuate statutare dhe sipas meje duhet të lejohet mendimi ndryshe, mendimi fraksionar. Partia patjetër duhet të vijë në gjendjen që shumica e anëtarësisë të mund që brenda të rritet dhe të zhvillohen ide. Praktikisht kjo që po ndodh, e mbyll hapësirën për mendim ndryshe, futet në izolim, në qasje autoritare në zgjidhjen e problemeve. Emrat që mbrëmë u shkarkuan mua më tregojnë se mund të shkarkohet secili që nuk i pëlqen Mickoskit. Me këtë nuk do të rritet mbështetja mes anëtarësisë dhe qytetarëve por përkundrazi do të zvogëlohet hapësira për veprime në parti dhe ajo do të vazhdojë të zhytet në izolim”, u shpreh Filip Petrovski, Reformator VMRO-DPMNE.

Petrovski mendon se VMRO-DPMNE-ja është dashur t’i paraprijë dhe të deklarohet para se 8 deputetët të votonin nevojën për ndryshimet kushtetuese, dhe t’i mbrojë ata nga ryshfeti dhe kërcënimet e mundshme. Tani për tani, e ardhmja e partisë më të madhe opozitare, për Petrovskin është e turbullt dhe e paqartë./TV21/