Pritet që bankat gradualisht dhe pjesërisht të ashpërsojnë edhe kushtet për kredi, por edhe të orientohen më shumë ndaj blerjes së bonove të thesarit, që do të ulë sasinë e parave në qarkullim, por edhe do të sjellë rritje të butë të kamatave për qytetarët dhe bizneset

Rritja e fundit e kamatës së shkallës referente apo e normës bazë të interesit prej 1.25 në 2 për qind që është rritur për bile tri herë në periudhën e fundit, pritet që të reflektojë edhe në shtrenjtimin e kredive. Një rritje e tillë, arsyetohet me qëllim të zbutjes së inflacionit dhe uljes së presionit ndaj rritjes së çmimeve me shtrenjtimin në masë të caktuar të të hollave. Njëherësh pritet që bankat gradualisht dhe pjesërisht të ashpërsojnë edhe kushtet për kredi, por edhe të orientohen më shumë ndaj blerjes së bonove të thesarit, që do të ulë sasinë e parave në qarkullim, por edhe do të sjellë rritje të butë të kamatave për qytetarët dhe bizneset. Me fjalë të tjera, bankat do të orientohen që pjesërisht në bazë të analizave të tyre të orientojnë të hollat e tyre ndaj investimeve në bonot e thesarit në vend se të ofrojnë më shumë kredi të reja.

Advertisements

Nga Shoqata e Bankave thonë se bankat në mënyrë individuale do të vendosin për lëvizjet e tyre pas vendimit të fundit të Bankës Qendrore. Ekonomistët nuk presin ndonjë shtrenjtim të madh të kredive, por aktualisht presin një shtrenjtim të butë të tyre. “Mund të pritet që bankat të reagojnë pas sinjaleve të tilla të Bankës Popullore për shtrëngimin e politikës monetare. Pra, në muajt e fundit kemi një tendencë të matur, por që gradualisht do të sjellë shtrenjtimin e ngadalshëm të të hollave që bankat ju ofrojnë klientëve të tyre. Nëse kemi një tendencë të politikës monetare në drejtim të shtrëngimit, edhe bankat do të vendosin të njëjtat kushte në politikat e tyre afariste”, thotë eksperti ekonomik Neritan Turkeshi. Sipas tij, për momentin nuk pritet të kemi ndonjë rritje të madhe të normës së interesit të kredive, megjithatë në të ardhmen vështirë se mund të kthehet koha e shkallëve të ulëta të kamatave. Ai shton më tej se më të prekur nga shtrenjtimet e kredive do të jenë qytetarët që kanë kontrata variabile në varësi prej asaj se sa do ketë lëvizje të normave të interesit, ndërsa ato me kontrata fikse nuk do të preken.

Nga Shoqata e Konsumatorëve rekomandojnë që qytetarët të ndjekin dhe lexojnë me kujdes marrëveshjet për marrjen e kredive si dhe të përllogarisin me kujdes edhe të ardhurat e tyre dhe hapësirën për kthimin e kredive, për çka mund të shfrytëzojnë edhe ueb faqen e shoqatës ku mund të përllogarisin nivelin e kredisë, afatin e pagesës dhe kushtet më të volitshme për ta. Nga Banka Popullore thonë se gjatë miratimit të vendimi për shtrëngimin e mëtejshëm të politikës monetare janë marrë parasysh zhvillimet e fundit të inflacionit, i cili vijon të rritet. Në periudhën janar – maj 2022, inflacioni mesatarisht është 9.1 për qind, që është në mënyrë mesatare më i lartë krahasuar me parashikimet tona të fundit në kushtet e rritjes më të theksuar të çmimeve të produkteve primare në bursat botërore.

Nisur nga rritja më e lartë e produkteve primare, e cila është më afatgjate, janë prezente edhe efektet e transmetueshme tek shumica e produkteve dhe shërbimeve, apo kemi një përshpejtim të inflacionit bazik. Arritjet e tilla e nxisin në mënyrë shtesë pritjet inflacioniste, gjë që thekson më tej nevojën për udhëheqjen e politikave të brendshme të kujdesshme. Indeksi i FAO-s apo Organizatës botërore të Ushqimit si pjesë e OKB-së, në dy muajt e fundit tregojnë korrigjime në rënie të çmimeve botërore të ushqimeve, por megjithatë zhvillimet ushtarake në Ukrainë, si dhe situata në zinxhirët e furnizimit, sjellin pasiguri për lëvizjen e mëtejshme të inflacionit.

Nga aspekti i zhvillimeve në sektorin monetar, sipas të dhënave fillestare për muajin maj 2022, rritja vjetore e kredisë është ende solide dhe në përgjithësi korrespondon me atë që është parashikuar, me rritje më të moderuar të depozitave. Në muajin maj, në tregjet financiare ndërkombëtare mbizotëruan pritjet e përforcuara të investitorëve për normalizimin e politikave monetare dhe për norma më të larta interesi. Në kushte të tilla, ka pasur ulje të çmimeve të obligacioneve shtetërore më të sigurta në eurozonë, apo rritje të rendimenteve të tyre, gjë që u mbështet nga përpjekjet e Bankës Qendrore Evropiane për të rikthyer inflacionin në nivelin e synuar në periudha afatmesme. Në përgjithësi, rreziqet për kontekstin e përgjithshëm makroekonomik mbeten të theksuara dhe kryesisht ndërlidhen me mjedisin e jashtëm, ndërsa rreziku kryesor mbetet pasiguria mbi rrjedhën dhe kohëzgjatjen e konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë dhe ndikimin e tij në çmimet dhe aktivitetet ekonomike në nivel global.

Në kushte të tilla, nevoja për politika të brendshme të kujdesshme bëhet edhe më e theksuar. Banka Popullore i monitoron nga afër trendet dhe rreziqet e mundshme dhe do të vazhdojë të përgjigjet në mënyrë të duhur dhe përkatëse drejt normalizimit gradual të politikës monetare, duke përdorur të gjitha instrumentet në dispozicion, për të ruajtur stabilitetin afatmesëm të çmimeve.

Nga ana tjetër, edhe Banka Kombëtare e Zvicrës rriti të enjten normën bazë të interesit për herë të parë në 15 vjet, duke u bashkuar me bankat e tjera qendrore në shtrëngimin e politikës monetare për të luftuar inflacionin. Banka qendrore rriti normën e saj të politikës monetare në minus 0.25 për qind nga niveli minus 0.75 për qind që ishte vendosur që nga viti 2015. Lëvizja pasoi një rritje prej 0.75 për qind të normës bazë nga Rezerva Federale e SHBA të mërkurën. “Politika më e shtrënguar monetare synon të parandalojë përhapjen më të gjerë të inflacionit në mallra dhe shërbime në Zvicër. Nuk mund të përjashtohet që rritje të mëtejshme të normës së politikës së bankës do të jenë të nevojshme në të ardhmen për të stabilizuar inflacionin në intervalin në përputhje me stabilitetin e çmimeve në periudhë afatmesme”, theksoi ajo në deklaratë.

Kësaj jave, Rezerva Federale Amerikane rriti normën bazë të interesit me 0.75 pikë përqindje për të frenuar inflacionin dhe parashikoi një ngadalësim të ekonomisë dhe rritje të papunësisë në muajt në vijim. Rritja e normës ishte më e madhja e shpallur nga banka qendrore e SHBA që nga viti 1994 dhe erdhi pasi të dhënat e fundit treguan pak përparim në punën e saj për të kontrolluar një rritje të mprehtë të çmimeve.

Zyrtarët e Bankës Qendrore paralajmëruan gjithashtu një rrugë më të shpejtë të rritjes së normave, duke përafruar politikën monetare me një ndryshim të shpejtë këtë javë në pikëpamjet e tregut financiar për atë që do të duhet për të vënë nën kontroll presionet e çmimeve. Gjithashtu a Banka Qendrore Evropiane sinjalizoi javën e kaluar se do të rriste normat e saj në korrik për të kontrolluar inflacionin në rritje në eurozonë, i cili arriti në 8.1 për qind muajin e kaluar. Njëherësh rritje e re do të pasojë në muajin shtator që do të varet nga lëvizja e inflacionit. Analizat tregojnë se po vjen fundi i parasë së lirë pa kufi në Eurozonë. Për herë të parë në 10 vite, Banka Qendrore Evropiane do të rrisë normat e interesit, duke ndjekur hapat e bankave të tjera qendrore, si ajo britanike dhe amerikane. Kjo do të hyjë në fuqi në korrik, e detyruar nga një armik global. “Inflacioni i lartë është një sfidë madhore për të gjithë ne. Këshilli Qeverisës do të sigurohet që inflacioni t’i kthehet synimit tonë prej 2 për qind në terma afatmesme. Në linjë me politikat tona, ne mendojmë të rrisim normat e interesit të Bankës Qendrore Evropiane me 0.25 pikë përqindje, në takimin e korrikut”, tha presidentja, Kristin Lagard. Banka Qendrore Evropiane i ka dhënë fund kështu një dekade me norma në rënie të interesit. Rritja e normës së korrikut do të jetë e para në 11 vjet, ku normat e interesit kanë qenë historikisht të ulëta. Që nga qershori 2014, norma e borxhit ë ka qenë negative. (koha.mk)