Bashkësia Fetare Islame hesht nëse ka filluar ose jo procedurat për zgedhjen e Reisit të ri si dhe reformat e mundshme që duhet të pasojnë. Pas shkarkimit të Sulejman Rexhepit për shpërdorim detyre, udhëheqësia e re nuk shpalosi as shpërdorimet e mundshme të Rexhepit, për opinionin publik. Prej 1 jave, BFI nuk tregon asgjë, pavarësisht se reisi i ri Shaqir Fetahu, jashtë kamerave është duke zhvilluar takime me përfaqësues politike e shtetëror. Lidhur me reformimin e mundshëm të BFI-së, teologët flasin me doza skepticizmi, edhe pse për shumë prej tyre, situata nuk ka kthim prapa. Teologu, Ismail Bardhi thotë se pas asaj që ndodhi në këtë institucion, zgjidhja fillestare është formimi i një komisioni të pavarur i cili do të përcaktonte një kornizë të qartë se cilat tipare dhe atribute duhet të bart udhëheqësia e BFI-së.

Kryetari i ardhshëm të mos jetë gjuetar, të mos ketë marrë pjesë në krime dhe të jetë njeri i përgatitur i cili do të dijë ta prezantojë fenë, të ketë kulturë të lartë, të jetë i arsimuar, të dijë se si të luftojë sfidën që paraqet vetë politika, jo ajo ta mbrojë politikën. E dini se institucioni fetar ka përgjegjësi që të rregulloj shpirtin njerëzor e jo të merret me politikë- pohoi Dr. Ismail Bardhi, teolog.

Teologu Ismail Bardhi shton se besimi te institucioni i BFI-së mund të rikthehet gjithashtu edhe përmes respektimit të kushtetutës të BFI-së dhe ligjeve të vendit.

Rregullorja ekzistuese ka pësuar shumë ndryshime në mënyrë private, në mënyrë jo procedurale, jo të mbështetura mbi atë që çdo rregullore e ka. Aty me telefon janë bërë ndryshime. Brenda kohës e ndryshojnë, asnjë bisedë nuk mbështetet mbi rregulloren- tha Dr. Ismail Bardhi, teolog.

Pasi Rijaseti shkarkoi Suljeman Rexhepin nga posti i Reisit në BFI, ushtrues detyre në këtë pozitë erdhi muftiu i Gostivarit Shaqir Fetahu, i cili deri në këto momente nuk ka shpalosur asnjë plan për zgjedhjet dhe reformat në BFI. Po ashtu, ndryshe nga çfarë pret opinioni publik, nuk është paralajmëruar as ndonjë revizion i brendshëm i veprimtarisë së deritanishme të institucionit dhe figurave të brendshme të tij.