Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi dërgoi urim deri te pjesëtarë të konfesionit islam respektivisht deri te të gjithë që fillojnë agjërimin në muajin e shenjtë të Ramazanit, muajin në të cilin praktikohet agjërimi, lutja, ndarja e ushqimit dhe fjala e bukur.

“Fryma e këtij muaji me gjithë solidaritetin e vet le të jetë mysafir i dashur në çdo shtëpi, le ti fisnikërojë zemrat me mendime të mira të respektit dhe dashurisë ndaj të afërmve dhe ndaj të gjithë njerëzve, të njohur dhe të panjohur. Për arsye se, nuk guxojmë të harrojmë se të gjithë jemi para së gjithash njerëz, kemi nevojë për njëri tjetrin, që me forca të përbashkëta të ndërtojmë shoqëri demokratike të lumtur, të avancuar dhe të suksesshme në të cilën secili do të ketë jetë dinjitoze, do të jetë pjesë e respektuar dhe e çmuar e mozaikut”, thuhet mes tjerash në letrën e Xhaferit.

Kryetari i Kuvendit të RM-së përveç urimeve për besimtarët mysliman, gjithashtu kërkoi nga të tjerët, të kenë mirëkuptim ndaj bashkëqytetarëve.