Maqedonia dhe Serbia janë të gatshme të përmbushin detyrimet e tyre për t’u bërë pjesë e familjes europiane…
Vendi i tyre është në BE. Ky është qëndrimi i përbashkët i kryeparlamentarit të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Serbisë, Talat Xhaferit dhe Maja Gjokoviqit, i theksuar gjatë takimit të tyre të përbashkët në Beograd.
Maqedonia mbështet Serbinë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila çon në ruajtjen e stabilitetit rajonal, deklaroi Xhaferi. Sipas tij, dallimet për çështje të caktuara nuk paraqesin pengesë për përparimin e dialogut midis dy vendeve.
“Ndonëse ka dallime për çështje të caktuara, kjo nuk paraqet pengesë për nxitjen e dialogut dhe thellimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës dypalësh, rajonal dhe multilateral midis dy vendeve. Në favor të këtij angazhimi është edhe mbledhja e përbashkët e të dy qeverive në drejtim të bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjes së infrastrukturës, me një ritëm të diktuar nga procesi i Berlinit”,- tha kryetari i Parlamentit të RM-së, Talat Xhaferi.
Ndërkohë, kryetarja e parlamentit serb, Maja Gjokoviq, deklaroi se kanë folur për bashkëpunimin ndërparlamentar si dhe tema që janë me interes për qytetarët.
“Nëpërmjet këtij takimi kemi dërguar mesazh edhe qytetarëve tanë edhe BE-së, se shtetet e Ballkanit Perëndimor munden dhe duan të bashkëpunojnë për të gjitha çështjet, si  për çështjet e integrimit europian, arsimit, bashkëpunimit ekonomik dhe forcimit të dy shteteve”,- tha kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviç.
Gjokoviq ka shtuar se Serbia është e gatshme të këmbejë përvojat me Maqedoninë lidhur me procesin e afrimit të vendeve drejt Bashkimit Europian. Veç takimit me homologen e tij, Maja Gjokoviqin, në kuadër të vizitës së tij, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, takohet edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.