Edhe sot kanë vazhduar kritikat lidhur me formimin e sindikatave të reja për stafin e arsimit të lartë. Sindikata e pavarur akademike përmes një komunikate ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masa juridike për ndalimin e këtij procesi. Thuhet se kanë dorëzuar ankesa në Inspektoratin shtetëror të punës, Komisionin për parandalimin e korrupsionit, Avokatin e Popullit, Inspektoratin për Arsim dhe Ministrinë e punës dhe politikës sociale. Kritika të ngjashme shprehin edhe nga SASHK-u. Kreu i saj, Jakim Nedellkov zbulon se gjatë ditës së nesërme në prokurori do të dorëzoj padi penale ndaj disa personave të caktuar udhëheqës të universiteteve për këto veprime të pahijshme.

Kjo, thjesht është një porosi drejtuar punonjësve se pushteti, pavarësisht se në cilën shkallë gjendet mund të bëj çfarë të dëshiroj. Ne si sindikatë kundërshtojmë çdo përfshirje të pushtetit në organizimin e sindikatave. Ndoshta do të tingëllojë ashpër deklarata ime por nuk dëshiroj që punëtorët të kthehen disa dekada mbrapa kur ishin robër, ndërsa punëdhënësit skllavopronar”-pohoi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Derisa SASHK-u dhe Sindikata e pavarur akademike vlerësojnë se është jo ligjore formimi i sindikatave të reja, ministri i Arsimit, Arbër Ademi e vlerëson si akt të rëndësishëm. Mes tjerash, ai thotë se kjo është mënyra e vetme për finalizimin e vendimit të Qeverisë për rritje të pagave për 10 % për punonjësit në arsimin e lartë.

Dhe, në rrethana të këtilla na mbetet ose të nënshkruajmë një marrëveshje kolektive të këtillë të arsimit të lartë në përgjithësi ose marrëveshje kolektive në nivel të universiteteve dhe kjo nuk përbën precedent Nuk dua të mendoj për skenarë negativ, unë mendoj se është në interes të vet komunitetit akademik dhe të punësuarve në universitete që të marrin pagë më të lartë për 10 %”-tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Siç mëson Alsat, edhe Universiteti shtetëror i Tetovës është në formim e sipër të Sindikatës ndërsa, nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mes tjerash u përgjigjën se “pas informimit nga ana e MASH, lidhur me procedurën e realizimit të rritjes së pagave mujore për 10 %, rektori i universitetit Aziz Pollozhani ka informuar të punësuarit të cilët duhet të realizojnë organizimin sindikal”.