Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, gjatë vizitës së djeshme në Poroj të Tetovës për shkak të vërshimeve, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske, tha se të hënën do ta ketë vizitën e parë zyrtare në Bruksel dhe takimin e parë me eurokomesarin, Johanes Han, në të cilën do të diskutohen reformat e para prioritare që duhet t’i realizojë Qeveria e re. Në takimin e parë zyrtar, kryeministri do të jetë i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe funksionarë tjerë qeveritar, njofton Portalb.mk.

“Për momentin ajo vizitë është më e rëndësishme, pasi që duhet të arrijmë marrëveshje për reformat e para prioritare me të cilat do të merret Qeveria në pajtueshmëri me raportin e Pribesë, por edhe në pajtueshmëri me raportin e Bashkimit Evropian. Ekipet janë gati, me mëngët e përveshura, jemi të gatshëm që ta nisim procesin e punës. Shpresoj se do të kemi takime edhe me përfaqësues të lartë të Bashkimin Evropian, siç janë Junker, Tusk, Mogerini, që të mundemi në mënyrë gjeneralë t’i sublikojmë të gjitha pritjet e institucioneve të BE-së për punët që do të zbatohen në Republikën e Maqedonisë, të cilat duhet të jetë precize, të sakta, në kohë dhe në pajtueshmëri me pritjet e qytetarëve, por edhe të BE-së”, tha Zaev.

Kryeministri tha se pas takimit në Bruksel, sipas të gjitha gjasave do të ketë vizitë në Bullgari, e cila në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë kryesuese e BE-së.

“Menjëherë pas asaj pason takim me vendet fqinje, unë besoj se ajo do të jetë Republika e Bullgarisë, pasi që ajo do të jetë udhëheqëse me BE-në që nga 1 janari, ndërkaq plotësisht është e gatshme që neve si fqinj të na ndihmojë në proceset integruese. Këto paralajmërime nënkuptojnë përforcim të aktiviteteve, motivim serioz fillimisht brenda shtetit, por edhe ndihmë nga miqtë e BE-së dhe fqinjët e Republikës së Maqedonisë, që Maqedoninë ta lëvizim drejtë anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE”, tha Zaev.