Sot, më 18 qershor, kryetari i partisë, z. Afrim Gashi, priti në takimin e parë protokollar, në selinë e partisë, Shkëlqesinë e Tij, ambasadorin e Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Siril Bomgartner (CyrilleBaumgartner). Në takim ishte i pranishëm edhe përkthyesi i kësaj ambasade dhe përgjegjësi për protokollin, Ardian RAMADANI.

Në fillim kryetari Gashi e përgëzoi ambasadorin për marrjen e mandatit të ri të ambasadorit fuqiplotë në Maqedoninë e Veriut, duke i dëshiruar sukses dhe duke shprehur dëshirë në vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes Ambasadës së Francës dhe partisë “Alternativa”.

Kryetari Gashi e informoi Ambasadorin Bomgartner, për ecurinë politike të Alternativës, dhe politikat e saja inkurajuese drejt demokratizimit të vendit.

Përpos situatës aktuale politike në vend, temë diskutimi në takim ishte edhe situata politike në rajon, marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe vendeve fqinje, gjegjësisht Bullgarisë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, në perspektivën e integrimit evropian, anëtarësimi i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, si dhe ndikimi i Francës, përmes metodologjisë për zgjerim, në lehtësimin e hapërimit të rajonit në këtë rrugë të pashmangshme.

Në takim u diskutua edhe për gjendjen në vend me pandeminë COVID-19, procesin e realizimit të vaksinimit dhe daljen nga kjo situatë.

Kryetari Gashi dhe ambasadori Bomgartner u dakorduan që të vazhdojnë me takime të tilla edhe në të ardhmen dhe të kultivojnë marrëdhënie të frytshme.